Kosova ende në fazë fillestare të zhvillimit të sistemit gjyqësor

Kosova ende në fazë fillestare të zhvillimit të sistemit gjyqësor

Raporti i Progresit për vitin 2016 ka ripërsëritur shqetësimin e Komisionit Evropian për sundimin e rendit e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit në Kosovë. 

Kosova është ende në një fazë fillestare të zhvillimit të një sistemi funksional të gjyqësorit, thuhet në Raportin e Progresit për vitin 2016, ku në përgjithësi nënvizohet si shqetësim ndikimi politik në drejtësi si dhe mungesa e fondeve dhe resurseve humane në institucionet e sundimit të ligjit.

Raporti vlerëson faktin se gjatë këtij viti është arritur të bëhen ndryshimet e kërkuara kushtetuese dhe legjislative por hapa të mëtutjeshëm duhen ndërmarrë në drejtim të përmirësimit të situatës.

Në këtë kontekst, rekomandohet rritja e përkrahjes financiare për këtë sektor si dhe rritja e kapaciteteve të stafit.

“Për të forcuar kapacitetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe stafit, duhet organizuar trajnime, sidomos në fusha specifike siç janë krimet ekonomike dhe prokurimi publik,” thuhet në raport.

Fakt tjetër shqetësues paraqitur në Raport është edhe numri i madh i rasteve të pazgjidhura.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim edhe lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar.  Raporti thotë se ka pasur shtim të numrit të hetimeve për raste të nivelit të lartë por numri i dënimeve, hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë vazhdon të jetë i ulët.

Sipas raportit, ka ende hapësira në legjislacion dhe se përmirësim duhet të bëhet sidomos sa i përket pastrimit të parave, konfiskimin final të aseteve dhe hetimeve financiare.

Kosova është në një fazë fillestare edhe në luftën kundër korrupsionit por gjatë këtij viti ka forcuar kapacitetet institucionale q ka bërë “të shtohet numri i rasteve të profilit të lartë që janë hetuar dhe ndjekur.”

Nga 33 raste të profilit të lartë që aktualisht janë në sistem, për 21 ka pasur padi (17 për korrupsion dhe katër për krim të organizuar), përmendet në raport.

Raporti thekson se edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka vazhduar me hetimet por kjo agjenci nuk ka mekanizma për të kontrolluar deklarimet e zyrtarëve lidhur me pasurinë e tyre.

“Sidoqoftë, korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz.  Një vendosmëri më e fortë politike nevojitet për të luftuar atë,” thuhet në raport./Insajderi.com