Kosova harron Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Kosova harron Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Shumica e vendeve në botë, 21 shkurtin e kanë shënuar me aktivitete të ndryshme Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.

E krijuar nga UNESCO me 17 nëntor 1999 – organizatë kjo në të cilën Kosova loboi për një vit por nuk u anëtarësua – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është e njohur zyrtarisht edhe nga Asambleja Gjenerale e Kombeve të Bashkuara.

Sot kjo ditë është shënuar në të gjithë botën si qëllim për fokus në promovimin dhe mbrojtjen e gjuhëve që përdoren nëpër botë, por në Kosovë nuk është shënuar në asnjë mënyrë institucionale.

Asnjë ngjarje zyrtare nuk është organizuar nga institucionet e Kosovës, madje asnjë nga drejtuesit e institucioneve qendrore nuk ka shkruar a thënë asnjë fjalë për këtë ditë, raporton Insajderi.

As në faqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e as në sajtin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk është publikuar asgjë që ka të bëjë me këtë ditë.

Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë zyrtarë të të dy institucioneve por asnjëri nga ta nuk ka qenë i qasshëm për shkak të ditës së pushimit nëpër institucione.

Asgjë për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare nuk është shënuar as tek sajti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e as në faqen e Qeverisë, Parlamentit dhe Presidencës së Kosovës.

Ndërsa në vende të ndryshme rajonit sikurse në Serbi e Maqedoni janë mbajtur aktivitete të cilat kanë pasur për qëllim ngritjen e vetëdijes për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhëve të tyre. /Insajderi