“Kosova, djep i Serbisë” – miti që zhvishet me idenë për ndarjen e Kosovës

“Kosova, djep i Serbisë” – miti që zhvishet me idenë për ndarjen e Kosovës

Fraza “Kosova është djepi i Serbisë” është përdorur vazhdimisht si arsyetim i krimeve të Serbisë në Kosovë mbi popullatën shqiptare për dekada me radhë, dhe nga regjime të ndryshme.

Nëse mendohet se mentaliteti i njerëzve në Serbi ka ndryshuar për këto vite, kjo edhe mund të ketë ndodhur, por jo edhe tek liderët e saj në raport me Kosovën.

Nëse shikohen deklaratat e politikanëve nacionalistë të Serbisë, për dekada me radhë, aty do ta gjeni frazën “Kosova është djepi i  Serbisë”.

Mbase sipas tyre kjo tregon se Serbia asnjëherë nuk do të heqë dorë nga territori i Kosovës si tërësi e saj. Madje, për ta forcuar mitin e tyre mbi Kosovës, Serbia e ka futur edhe pjesë të kushtetutës së vet.

Nëse marrim për bazë gjenocidin e Serbisë të ushtruar në Kosovë, atëherë del se “Kosova është djep i krimeve të Serbisë”.

Por jo rrallë e kanë thënë vetë udhëheqësit shtetërorë në Serbi se janë për ndarjen e Kosovës.

Këtu edhe fillon zhveshja e mitit “Kosova është djepi i Serbisë”.

Nëse ky mit do të ishte realitet, atëherë ata nuk do të pranonin asnjëherë që “djepi” i tyre të ndahej.

Lojaliteti i tyre ndaj situatave tregon se idetë e tyre janë vetëm për përfitime dhe jo reale ashtu siç e thonë vazhdimisht.

Retorika e tyre vazhdon edhe sot kur Republika e Kosovës tashmë i ka mbushur 10 vjet të shtetësisë.

Brenda republikës sonë janë disa komuna me shumicë serbe. Por përqendrimi i Serbisë është në pjesën veriore të Kosovës. Aty e ka edhe cakun e “gllabërimit të territorit”.

Nëse kaloni në veri të Mitrovicës e shihni se atje ende ka frymë të theksuar nacionaliste serbe. Madje aty nuk mund të gjesh as simbole të shtetit të Kosovës.

Atje shqiptarët kanë frikë të jetojnë, dhe për më keq, nuk u lejohet të ndërtojnë shtëpi në pronat e tyre nga frika e baraspeshimit të banorëve shqiptarë me ata serbë në atë pjesë.

Ideja për shkëmbim territoresh nuk është diçka e re, për të cilën Serbia edhe sot e kërkon. Synimi i saj është marrja e veriut të Mitrovicës.

Një hap drejt kësaj ndarjeje u bë edhe me krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Serbia synoi ndarjen edhe me vendosjen e murit ndarës në veri. Përveç urës mbi lumin Ibër, që i ndan këto dy pjesë, Serbia, përmes strukturave të saj në veri, ndërtoi murin për ta ndarë “përfundimisht” atë pjesë, apo për ta paralizuar nga pjesa e jugut të qytetit.

Organet e shtetit, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare e evituan ndarjen, rrëzuan murin dhe ndërtuan një park aty.

Pra, veprime të tilla të Serbisë tregojnë se ajo nuk është e interesuar për “djepin” të tërësi, por për kokën e djepit.

Kjo jep të kuptosh se retorika se “Kosova është djep i Serbisë” është për konsumin të brendshëm politik në Serbi, mbi të cilën frazë atje fitohen vota shumë.

Këtë e vërteton fakti se në kohë zgjedhjen në Serbi u tentuar që treni me mbishkrime “Kosova është djepi i Serbisë” të hyjë në Kosovë dhunshëm.

Miti i Serbisë mbi Kosovën po i shkakton dëme të mëdha serbëve që jetojnë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë mbetur “trupin në Kosovë, e kokën në Serbi”. Ky “infektim” i tyre po vjen nga miti i rrejshëm që po e proklamojnë edhe sot liderët e Serbisë.

Sa më parë që serbët e Kosovës ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është këtu, aq më mirë do të jetë për ta, por edhe për vetë Serbisë, sepse, atëherë do t’i shohë ata si qytetarë të saj që jetojnë në një shtet fqinjë. Edhe marrëdhëniet do të jetë shumë më të mira.

Serbisë disa herë i është bërë e qartë se pa hequr dorë nga miti i saj mbi Kosovën nuk do të mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Pra, Serbia e ka kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën./Insajderi.com