Kosova dhe Serbia përballen me futboll dhe xhudo OKB

Kosova dhe Serbia përballen me futboll dhe xhudo OKB

Kosova dhe Serbia janë përballur edhe njëherë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, por këtë herë ata janë përballur duke përmendur futbollin dhe sportin e xhudos.

I pari e ka nisur Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka përmendur Fadil Vokrrin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së.

Ai ka thënë se më 1986 ai zgjodhi Partizanin e Beogradit, ku luajti tri vite me radhë dhe ende përkrah këtë ekip.

Daçiq duke potencuar se Vokrri tash është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka kujtuar se Vokrri ka shënuar për Partizanin gjatë ndeshjes kundër Flamurtarit të Vlorës.

E pas futbollit ka ardhur xhudoja.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në fund të fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit në OKB ka përmendur Kampionen Botërore e Olimpike, Majlinda Kelmendin.

“Kemi edhe Majlinda Kelmendin që solli medaljen e parë olimpike të artë në vend. Asaj i janë ofruar miliona euro që të garojë për vendet tjera, por priti dhe garoi për vendin e saj. Ajo vërtetoi se jo çdo gjë duhet të shitet, ajo u bë heroinë dhe inspirim për të gjithë”, ka thënë Çitaku.

Por për dallim prej Vokrrit që është përmendur nga Serbia, për Majlinda Kelmendin kanë folur edhe përfaqësuesja e Anglisë, dhe Japonisë.

Madje përfaqësuesi i Japonisë, që nisi fjalimin me Majlinda Kelmendin dhe shfrytëzoi disa minuta për të shtjelluar ndikimin e Kelmendit në Japoni.

“Në Japoni, jo vetëm pse Majlinda Kelmendi mposhti përfaqësuesen tonë Nakamura pati jehonë, por populli japonez u prek shumë nga fitorja e Majlindës si medalje historike”, ka thënë ai./Insajderi.com