Kosova dhe 40 konsujt e nderit

17.11.2017 08:43
Kosova dhe 40 konsujt e nderit

Tek po ecte këtë javë në rrugën kryesore të qendrës së kryeqytetit të Beninit, Cotonou, kosovari Armend Bekaj ishte befasuar kur kishte hasur në një godinë të madhe, sipër së cilës ndodhej një pllakat që tregonte se ajo ishte Konsullatë e Kosovës. Dhe kishte hyrë brenda për ta shuar kureshtjen.

Ai ndodhet në Benin si pjesë e një organizate ndërkombëtare. Disa dyshime i ishin sjellë në kokë kur kishte parë ndërtesën, meqë në “rrugën më të shtrenjtë” ndodhen fare pak misione diplomatike, shkruan sot Koha Ditore. Që të gjitha janë të shteteve që përbëjnë fuqi globale.

“Perandoria amerikane është këtu gjithashtu. Janë edhe disa konsullata. Dhe pastaj është ajo e Kosovës!”, ka shkruar Bekaj në profilin e tij në “Facebook” rrëfimin për Konsullatën. “E kuptoj, është Konsullatë Nderi, por sidoqoftë, çka është puna e saj? Kush punon në të? Çfarë interesash përfaqëson ajo? Të Kosovës? Çfarë interesash të Kosovës saktësisht? Kush paguan për të? Cilat janë rezultatet e punës së saj deri më tash?”, janë këto pyetje që i ishin sjellë në kokë.

Nutsugan J. Olivier është konsull nderi i Kosovës në kryeqytetin e Beninit, shtet ky i Afrikës Perëndimore. Është emëruar që prej vitit 2011, me një vendim të ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, por ishte propozuar nga Behgjet Pacolli, atëkohë zëvendëskryeministër, post që e ka rimarrë edhe tash dhe mban edhe funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme.