Kosova dënon sulmin terrorist në Londër

Kosova dënon sulmin terrorist në Londër

Liderët shtetëror të Kosovës kanë reaguar pas sulmit terrorist afër parlamentit britanik.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova solidarizohet me familjet e viktimave dhe me të gjithë popullin britanik pas sulmit të sotëm terrorist në Londër.

“Mbetemi përherë të bashkuar dhe të patundur në mbrojtjen e vlerave tona demokratike perëndimore”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se është shokuar nga sulmi në Londër, duke shtuar se lutjet dhe mendimet e tij në këto orë janë për viktimat e kësaj ngjarje.

Katër persona, përfshirë këtu një polic dhe burri që besohet se ka qenë sulmuesi, kanë vdekur si pasojë e sulmit afër parlamentit britanik në Londër, njofton BBC.

BBC njofton se gjatë sulmit, të cilin policia britanike e ka cilësuar si incident terrorist, kanë mbetur të lënduar edhe 20 persona.

Një person ka goditur me veturë disa këmbësorë para se të vriste policin duke e therur me thikë.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje rreth sulmuesit apo motivit të këtij akti që ka tronditur Britaninë./Insajderi.com