Kosova ballafaqohet me sfidën e kthimit të qytetarëve të saj nga Siria dhe Iraku

23.11.2017 14:43
Kosova ballafaqohet me sfidën e kthimit të qytetarëve të saj nga Siria dhe Iraku

Qytetarët e Kosovës që kanë mbetur në Siri dhe Irak kanë humbur kontaktet me familjet, prandaj shteti duhet ta ketë një plan se si t’i kthejë ata në Kosovë, ka thënë Skënder Perteshi, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Rreth 70 gra dhe fëmijë nga Kosova vazhdojne të mbesin në Siri dhe Irak prej se grupi militant Shteti Islamik ka humbur territorin që e mbante nën kontroll.

humë familje kosovare, të detyruara nga burrat, filluan të shkojnë në vendet e luftës që nga viti 2012 dhe numri i tyre arriti mbi 300 persona.

“Sfida më e madhe do të jetë se si t’i kthejmë qytetarët tanë që ende mbeten në vatrat e luftës në Siri dhe Irak”, ka thënë Perteshi për Radion Evropa e Lirë.

“Disa janë zënë prej forcave irakiane, disa janë zënë prej forcave kurde, të tjerët janë diku në mes të shkretëtirave të Sirisë dhe Irakut dhe askush nuk komunikon me ta. Në momentin e kapjes ka humbur komunikimi ndërmjet tyre dhe familjes”, ka thënë tutje ai.

Perteshi ka thënë se për momentin në Kosovë nuk ka asnjë xhami ku bëhet thirrje për xhihad ose ku bëhet thirrje për t’iu bashkuar organizatave terroriste dhe ekstremiste që janë aktive në botë.

Sipas organizatës joqeveritare që merret me çështje të sigurisë Soufan, nga Kosova kanë shkuar në Siri dhe Irak 317 persona, nga Bosnja 248, nga Maqedonia 140, nga Shqipëria 90 dhe nga Serbia 50 persona.