“Kosova B” investon në filtra

“Kosova B” investon në filtra

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në tryezën me temë “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të zbatimit të Planit të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

“E dimë që në Kosovë ka munguar një strategji e mirëfilltë e zhvillimit, sidomos në industrinë e ndërtimit që kursen energji, që e orienton amvisërinë kah përdorimi i lëndës së parë të energjisë që është më e pastër”, tha kryeministri Haradinaj. Ai, duke thënë se mungesa e sistemeve të ngrohjes qendrore që janë me lëndë të parë më miqësore me ambientin ndaj ajrit, shkakton vështirësi të mëdha. Monitorimi i cilësisë së ajrit është veprim që të paktën na kujton se nëpër çka po kalojmë, çfarë gjendje kemi dhe na obligon të ndërmarrim masa vepruese, ka vlerësuar kryeministri.

“Ka edhe lajme të mira në këtë drejtim. Lajm i mirë është planifikimi i investimeve në filtra në “Kosovën B”, dhe në procese tjera që janë shkaktarë të ndotjes. Është ky një bashkëinvestim me Bashkimin Evropian që pritet të ndodhë. Lajm i mirë është edhe mundësia e investimeve të reja në energji, në teknologji që është e pastër”, tha kryeministri.

Kryeministri ka vlerësuar rëndësinë e gjelbërimit të ambienteve nëpër qytete, vendbanimeve, ruajtjen e zonave pyjore dhe florës në tërësi, si dhe aspektin e edukimit të qytetarëve për lëndën e parë djegëse që e përdorin, sidomos për nxehje.

Kryeministri Haradinaj ka përmendur masën për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje, përkundër numrit të madh të familjeve me gjendje të rëndë sociale dhe pa mundësi alternative pasi koha kur ne mund të kyçemi në gazsjellësin TAP është bukur e largët. Ai ka kërkuar nga të gjithë mekanizmat përgjegjës, e veçanërisht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të ndërmarrin masa për monitorimin dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.