Korrupsioni, e përbashkëta e dy kundërshtarëve politik në Gjilan

16.09.2016 16:06

Qytetarët e Gjilanit për më shumë se një dekadë janë qeverisur me ndërrim nga dy partitë më të mëdha në vend, LDK e PDK, ndërsa e përbashkët e dy qeverisjeve në qytetin lindor është se kryetarët po ndiqen penalisht për korrupsion.

Korrupsioni, e përbashkëta e dy kundërshtarëve politik në Gjilan

Listës së kryetarëve të komunave të Kosovës të cilët janë dënuar apo ndiqen nga drejtësia i është shtuar edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj Mustafës, nën dyshimin se ai në mënyrë të organizuar me zyrtarë të tjerë të komunës dhe biznesmenë kanë kurdisur tenderë.

Prokuroria pretendon se ka mbledhur prova të mjaftueshme që tregojnë se Mustafa ka ushtruar ndikimin e tij në prokurim të Komunës, më konkretisht,  në caktimin e anëtarëve të komisioneve për vlerësimin e ofertave dhe anëtarëve të komisioneve vlerësuese në aktivitete të ndryshme të prokurimit. Përveç tij, prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 28 zyrtarëve të tjerë komunalë lidhur me këtë rast.

Në fakt, aktakuza kundër tij nënkupton që dy kryetarët e fundit të kësaj komune janë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë kontekst, qytetarët e Gjilanit për më shumë se një dekadë janë qeverisur me ndërrim nga partitë më të mëdha të vendit, PDK e LDK, duke provuar kështu nga afër qeverisje nga partitë që dikur kishin rivalitet të madh politik,  por që të përbashkët kanë dyshimin që bie mbi ta për korrupsion e krim të organizuar.

Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që mposhti Mustafën në zgjedhjet e vitit 2013, dyshohet se ka dëmtuar qytetin e tij me afër 170 mijë euro pasi që ka favorizuar një biznesmen me të kaluar kriminale.

Gazeta Insajderi ka raportuar muajin e kaluar se Haziri dyshohet se ka favorizuar një person me mbiemër të njëjtë si ai, për nj tender që ka të bëje me parkingjet e qytetit.

“Sipas aktakuzës Lutfi Haziti, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që për vete ose për persona tjerë të përfitoi çfarëdo dobie, duke ua shkelur të drejtat e pjesëmarrësve tjerë në ankand publik”, pretendon prokuroria. /Insajderi.com