Korrigjimi i kufijve, akt që thyen parimin më diskriminues në historinë moderne ndërkombëtare, atë të mosndryshimit të kufijve

Kjo mundësi u arrit apo nuk u arrit të realizohet, e meriton të trajtohet seriozisht dhe nëse Kosova përfiton pjesën territoriale të saj, Luginën, të mbetur tragjikisht jashtë kufijve të saj, atëherë është realizuar një pjesë e ëndërrës sonë madhore për një komb të bashkuar!

Korrigjimi i kufijve, akt që thyen parimin më diskriminues në historinë moderne ndërkombëtare, atë të mosndryshimit të kufijve

Në të drejtën ndërkombëtare dhe sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare, jeton fuqishëm parimi i mosndryshimit (me dhunë) i kufijve të shteteve ndërkombëtarisht të njohur. Mbi këtë parim janë zgjidhur problemet e shteteve të dalura nga Bashkimi Sovjetik, nga blloku i lindjes dhe atyre të dalura nga Jugosllavia.

Ky parim, ka siguruar popujt e hapësirës së Evropës Lindore dhe Juglindore, që kufijtë e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore të vlejnë edhe tash, pa prejudikuar, pa vlerësuar dhe pa diskutuar se a kanë qenë drejtë apo padrejtësisht të vendosur! Parimi i sovranitetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve, në njërën anë ka garantuar ekzistimin e një lloj „paqeje“, ekzistimin e shumë shteteve, sidomos shteteve të pafuqishme në aspektin ushtarak apo të vogël me popullësi dhe territor apo ekonomikisht të dobëta!

Ekzistimi i shumë shteteve ka pasuruar botën në koloritin e saj, i ka dhuruar më shumë liri popujve dhe ka krijuar një lloj stabiliteti për disa popuj! Mirëpo, në anën tjetër vendosja e kufijve në të shumtën e rasteve nuk ka qenë e drejtë, kufijtë kanë qenë të imponuar, të vendosur kundër dëshirës dhe vullnetit të popujve dhe është bërë ndarja e hekurt e tyre me ashpërsinë më të madhe të mundshme! Dhe, kjo ndarje është çelikosur jo vetëm nga e drejta ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në vullnetin dhe politiken e qendrave të vendosjes, duke i trajtuar si të paprekshëm, të shenjtë ashtu edhe siç janë dhe në këtë mënyrë duke ndaluar në një formë apo tjetër që të bisedohet për këtë temë! Një ndarje të tillë ka pësuar edhe kombi shqiptar, i ndarë katërcipërisht, fillimisht në tre, e sot në gjashtë shtete!

Tash, pas tre dekadave të përfundimit të luftës së ftohtë, pas luftrave të tmerrshme në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, 10 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe qendrat e mëdha të vendosjes por edhe të dyja shtetet, Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë, kanë marrur guximin të flasin hapur në opinion për idenë e përmbylljes së armiqësive shekullore, duke e sfiduar parimin e mosndryshimit të kufijve dhe me këtë edhe të krijimit të një vlere të re në marrëdhëniet ndërkombëtare: për të biseduar për korrigjimin e kufijve, shtyerjen e tyre, lëvizjen e tyre!

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, në rast se arrihet një marrëveshje e tillë nga të dyja shtetet, do të përbënte një hap të guximshëm drejt arritjes së një paqeje afatgjate mes dy popujve, do ta relativizonte në disa pika pakon e Ahtisaarit, do ta funksionalizonte shtetin e Kosovës dhe do ta çlironte Kosovën nga preokupimi madhor dialog, dialog, dialog e që po e thithë tërë kohën dhe energjinë e institucioneve tona, pa pasur pastaj kohë që të merren me problemet reale të shoqërisë, sidomos aspektet ekonomike dhe sociale, arsimit, shëndetësisë dhe sistemit të drejtësisë, respektivisht sundimit të shtetit ligjor!

Guximi i shprehur nga ana e Presidentit të Kosovës për të qenë i hapur për të biseduar edhe për këtë temë, për të ia bashkuar Luginën Kosovës, duhet nga spektri institucional, ai politik, nga shoqëria civile dhe mediat, të merret seriozisht dhe trajtohet me seriozitetin më të madh dhe jo apriori të sulmohet si ide e dëmshme.

Të sulmohet kjo nismë e Presidentit pa një analizë të mirëfillt (që fatkeqësisht po mungon për momentin) si në aspektin politik, atë të sigurisë, ekonomik dhe të përparėsive apo mangësive tjera, por të sulmohet vetëm pse kjo nismë është e Presidentit, përbën në thelb problemin kryesor të shoqërisë sonë, atë të emancipimit demokratik dhe kombëtar!

Kjo mundësi u arrit apo nuk u arrit të realizohet, e meriton të trajtohet seriozisht dhe nëse Kosova përfiton pjesën territoriale të saj, Luginën, të mbetur tragjikisht jashtë kufijve të saj, atëherë është realizuar një pjesë e ëndërrës sonë madhore për një komb të bashkuar!