Korpusi i Paqes ndihmon mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike

Korpusi i Paqes ndihmon mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim përfaqësuesit Korpusit të Paqes në Kosovë dhe përfaqësuesit e Drejtorive Komunale të Arsimit, me ç ‘rast i ka ftuar DKA-të që të nxisin interesimin e komunitetit për të bashkëpunuar me vullnetarët e Korpusit të Paqes, të cilët janë të angazhuar në mësimdhënien e gjuhës angleze.

Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i drejtorëve të shkollave, duke ditur që ka komuna të cilat nuk janë përfshirë në këtë vullnetarizëm të Korpusit të Paqes, në përfitimet që sjellë ky Korpus, diskutimi për mundësitë e reja dhe zgjerimi i bashkëpunimit.

Ministri Bytyqi tha se Korpusi i Paqes ka disa vite që në Kosovë është i angazhuar për të ndihmuar mësimdhënësit tanë në mënyrë praktike.

“Përmes kësaj forme të bashkëpunimit po bartet edhe kultura amerikane për të cilën jemi mirënjohës, për të gjitha përpjekjet që kanë bërë për popullin e Kosovës. Kërkoj nga ju që t’i njoftoni shkollat e komunave prej nga vini, në mënyrë që të gjitha shkollat të kenë mundësi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi e mirë që po ofrohet nga Korpusi i Paqes”, tha ministri Bytyqi.

Ndryshe, Korpusi i Paqes është një program vullnetarë i drejtuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, misioni i të cilit përfshinë sigurimin e asistencës teknike, duke ndihmuar njerëzit jashtë SHBA-ve që të kuptojnë kulturën amerikane dhe duke ndihmuar qytetarët amerikan që të kuptojnë kulturat e vendeve të tjera.

Grupi i parë prej 25 vullnetarëve kanë ardhur për herë të parë në Kosovë në qershor të vitit 2014 dhe vazhdon që të sjellë në Kosovë ndihmën përmes vullnetarizmit të tyre, në vazhdën e të cilave pritet edhe nënshkrimi i një Marrëveshje Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Korpusit të Paqes.