Kontrolli që deputetët nuk do t’i nënshtrohen me 3 gusht

Kontrolli që deputetët nuk do t’i nënshtrohen me 3 gusht

Deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kosovës nuk do t’i nënshtrohen kontrollit në detektorin e gazit lotsjellës kur të shkojnë të enjten në seancën konstituive të Kuvendit.

Kjo për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk e ka blerë ende detektorin. Këtë e ka konfirmuar sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

“Nuk është blerë ende detektori”, ka thënë Krasniqi për Kallxo.com

Për blerjen e detektorit të gazit lotsjellës Qeveria kishte ndarë një fond të veçantë. Vendimi ishte marrë në muajin mars të vitit të kaluar.

Qëllimi ishte që të pengohej futja e gazit lotsjellës në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e opozitës së kaluar (Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën), gjatë tërë vitit 2016 kishin përdorur çdo metodë, përfshirë edhe gazin lotsjellës, për të penguar seancat e Kuvendit kur do të votoheshin Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi dhe ajo për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Votimi i këtyre dy marrëveshjeve ishte hequr nga rendi i ditës nga koalicioni në pushtet (PDK-LDK) dhe pas kësaj partitë opozitare nuk i kishin penguar seancat plenare.
Pas rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, presidenti Hashim Thaçi shpërndau Parlamentin më 10 maj të këtij viti dhe dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 11 qershor.

Deputetët e zgjedhur në këto zgjedhje do të zënë ulëset në Kuvend të enjten, kur pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e këtij institucioni.