Kontrolli i EULEX-it mbi gjyqtarët – akuzat e Bamieh dhe paralajmërimi për Simmonds

Kontrolli i EULEX-it mbi gjyqtarët – akuzat e Bamieh dhe paralajmërimi për Simmonds

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila kishte akuzuar për korrupsion misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, e ka quajtur të turpshëm qëndrimin e misionit ndaj akuzave të bëra nga Malcolm Simmonds.

Simmonds dha dorëheqje këtë të enjte duke bërë akuza për korrupsion, teksa EULEX-i tha se ai “ishte duke u hetuar në lidhje me akuza serioze ndaj tij” që nga viti i kaluar.

E Bamieh, përmes nje reagimi për medie, ka thënë sot se EULEX-i dëshiron të njollos njerëzit që marrin iniciativa për të shpalosur dyshimet për korrupsion brenda misionit.

“Turp për EULEX-in, për njoftimin e fundit për shtyp kundër Malcolm Simmonds, gjyqtarit britanik. Gjithçka që bëjnë ata [EULEX-i v.j] është të njollosin iniciativa. Mirë, por pse nuk ndalin ndërhyrjet në ndjekjet penale dhe manipulimin e gjykimeve”, ka thënë Bamieh.

Bamieh ka akuzuar EULEX-in se ka kontroll mbi gjyqtarë dhe prokurorë. Ka thënë se misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovës manipulon panelet gjyqësore.

“Për këtë arsye ata bastisën zyrat e kreut të untelegjencës dhe Heikki Wendoff-it, në mënyrë që çdo hetim të jetë nën kontrollin e tyre. Ata janë duke manipuluar ndjekjet penale përmes manipulimit të paneleve gjyqësore. Nëse nuk mund të ndërhyjnë tek prokurorët, ata përdorin gjyqtarët”, thotë Bamieh.

Prokurorja britanike ka paralajmëruar bashkëkombasin e saj, Malcolm Simmonds, se misioni i EULEX-it do të mundohet ta përlyejë figurën e tij. Sipas Bamieh, EULEX vepron ngjashëm me të gjithë njerëzit që “flasin të vërtetën për korrupsion”.

“A ju kujtohet të gjithve se cfarë më thanë mua kur e ekspozova korrupsionin. Ata thanë se isha e çmendur dhe “nën hetime etj. Tani, po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë me Malcolm Simmonds-in”, ka thënë ajo.

“Ai u ankua për Komandantin e Operacioneve Civile, dhe pastaj është Komandanti i Operacioneve Civile që ka filluar ta hetojë atë!!! Hahaha. Ata, madje, nuk duket se e kuptojnë parimin bazë të hetimeve të pavarura. Çfarë institucioni i sundimit të ligjit është ky që lejon të hetohen personat që ankohen ndaj institucionit”, ka thënë Bamieh.

Për Bamieh, është çështje kohësh kur do të fillojë një hetim i pavarur ndaj misionit të EULEX-it.

“Turp për ta dhe është cështje kohësh kur do të bëhet një hetim vërtetë i pavarur ndaj Komandantit Civil dhe EULEX-it. Një hetim që do bëhej me të paktën tre gjyqtarë të pavarur nga BE-ja. Nëse ata mendojnë se përlyerja e karakterit të një personi që ankohet ndaj korrupsionit është rruga për të ecur përpara, atëherë ata kanë shumë për të mësuar”, ka thënë ajo.

“Malcolm Simmonds është një njeri me integritet dhe ka nevojë për mbështetje dhe për t’u dëgjuar. Ai është një zyrtar, i cili duhet të lavdërohet për të qëndrimin e tij kundër gënjeshtrave të EULEX-it, fushatave të padrejta, të rrejshme dhe të përlyera”, është shprehur Bamieh.

Simmons ishte edhe kryetar i Trupit Gjykues në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe gjykoi çështje të krimeve të luftës që u trajtuan gjatë vitit 2015 dhe nxori vendime mbi çështje penale që përfshinin kontrabandën ilegale të emigrantëve brenda dhe jashtë Kosovës. Këto raste u gjykuan gjatë viteve 2013 dhe 2014.

Në vitin 2014, Simmons u emëruar kryetar i gjykatësve në misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX. Ai u dërgua aty në vitin 2008 nga Zyra e Jashtme dhe ”Commonwealth Office (FCO)” në Britani.  /Insajderi.com