Kontesti gjyqësor 12 vjeçar mes Kosovës dhe kompanisë kroate

22.03.2017 08:37
Kontesti gjyqësor 12 vjeçar mes Kosovës dhe kompanisë kroate

Kompania INA nga Kroacia që i kishte në pronësi të saj pronat në Kosovë në kohën e Ish-Jugosllavisë, po kërkon që 29 asetet e saj të iu kthehen asaj. INA dhe AKP-ja janë në proces gjyqësor të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës që nga viti 2005.

Kompania INA ka njoftuar se deri në mesin e vitit 1991, INA kishte në pronësi 29 stacione të mbushjes, të objektit të magazinimit në Bardhosh, dhe tre zyra në territorin e Republikës së Kosovës. E gjithë kjo pronë u konfiskua nga kompania me dekret të Kuvendit Popullor të Serbisë. Duke pasur parasysh se kjo pronë nuk është vendosur në një vend tjetër, INA ka nisur procedurat për të vendosur të drejtën e pronësisë në lidhje me të, tek Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës në vitin 2005.

“Procedimi ka qenë në një fazë jozyrtare e ndalur pavarësisht kërkesave për aktivizim e bërë nga INA. Kompania ka apeluar edhe për një vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të këtij viti, në lidhje me këto asete që të janë pronë publike. Vendimi i gjykatës është ende në pritje”, thuhet në përgjigjen e kompanisë INA dërguar për RTKlive.

Duke pretenduar të drejtën e pronësisë në Bardhosh, zyrtarë të INA-së kanë thënë se kjo kompani ka paguar edhe qira në emër të saj që nga viti 2006 për të qenë në gjendje të mbrojë këtë pasuri, si dhe për të zgjeruar operimin në Kosovë.

“Për fat të keq, objekti i i magazinimit nuk ka qenë në përdorim tregtar/komercial, pjesërisht për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka përdorur kapacitetet e saj për furnizimet strategjike, edhe pse ajo ishte zotuar për të bërë këtë sipas kontratës”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Zyra për media e kompanisë INA nga Kroacia.

Arsyeja tjetër sipas kësaj kompanie është se, gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj qiraje, INA nuk ka pasur asnjë ndikim dhe nuk ishte në gjendje të rifitojë pronësinë e stacioneve të saj të mbushjes dhe produktet të cilat mund të kishin ardhur nga ky magazinim.

“Në fillim të këtij viti, kontrata e qirasë formalisht ka skaduar, por ka mbetur operacionale dhe negociatat janë duke vazhduar me Agjencinë Kosovare të Privatizimit në lidhje me nënshkrimin e një kontratë të re. INA do të vazhdojë me aktivitetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e pasurisë së saj në Kosovë dhe pret bashkëpunimin konstruktiv të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thonë zyrtarët e saj.

Ndërkaq,  Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, ka bërë me dije se me padinë e INA-s kundër AKP-së, lënda është në procedurë dhe më të është i ngarkuar një gjyqtar i EULEX-it.  “Në lidhje me këtë lëndë së shpejti do të caktohet një seancë gjyqësore. Kjo me siguri do të mbahet në gjysmën e parë të vitit. Shpresojmë që pas kësaj do të nxirret një aktgjykim. Por, në mënyrë që kjo të ndodh  palët duhet gjithashtu të jenë në dijeni që ky është njëri nga rastet më të vjetra të DHPGJS-së dhe ata duhet t’i paraqesin provat e tyre më të fundit sa më shpejt që të jetë e mundur, gjë që deri më sot nuk ka qenë kështu”, thuhet në përgjigjen nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në anën tjetër,  Ylli Kaloshi zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka bërë me dije se AKP-ja me INA-n ka kontratë qiraje për shfrytëzimin e depos në Bardhosh. “Pra, kjo depo shfrytëzohet nga INA përmes kontratës së qirasë me AKP. Zgjidhja e problemit të INA-s, lidhet me procesin gjyqësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme rreth pretendimeve të INA-s është në vijim e sipër. Akoma nuk ka vendim përfundimtar”, ka thënë Kaloshi. Sipas tij janë 29 pika-pompa karburanti vetëm të INA-s në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se është papërgjegjësi  se si në Kosovë, nuk po përshpejtohet procesi i kthimit të pronave të INA-s.  “Është një gjë e pa imagjinueshme, si në Serbi pronat e INA-s  i janë kthyer pronarit , kurse në Kosovë, ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet që sa më shpejt Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës, të merr vendim dhe të iu kthehet prona, pronarit te ligjshëm.  Gërxhaliu, ka thënë se nuk dihet harruar se Kroacia ka bërë shumë për Kosovën në aspektin politik./Insajderi.com