Konsullata e Kosovës jep detaje rreth kthimit të trupit të Bajram Rexhepit

Konsullata e Kosovës jep detaje rreth kthimit të trupit të Bajram Rexhepit

 

Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka vdekur të hënën në mëngjes në njërin nga spitalet e Turqisë, ku prej muajsh ndodhej në koma pas sulmeve të pësuara në tru.

Konsullata e Kosovës në Turqi, bashkë me familjen janë duke punuar rreth procedurave për kthimin e trupit të pajetë të Rexhepit për në Kosovë.

“Jemi në komunikim me familjen. Po e presim konfirmimin e spitalit, posa të na japin konfirmim spitali ne do t’ju informojmë”, kanë thënë zyrtarë nga Konsullata e Kosovës në Turqi për Express.

E ndërkohë ish-asistenti i Bajram Rexhepit, Sedat Gashi, ka thënë se janë në komunikim me familjen. Ai ka deklaruar se po bëjnë përpjekje që deri nesër trupi i pajetë i Rexhepit të sillet në Kosovë.

“Është e angazhuar Ambasada. Në momentin që na njoftojnë ata, ne do të ju njoftojmë juve. Po mundohemi që nesër ta sjellin. Por ende nuk kemi konfirmim”, ka thënë Gashi.

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare në një spital në Turqi.

Rexhepi prej muajit prill ndodhet në gjendje kome, pas sulmeve të pësuara në tru.

Ai fillimisht ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, por për shkak të gjendjes të rëndë, më 25 prill ishte dërguar në Turqi.