Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot fushatë elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit në Ferizaj.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se qytetarët e Ferizajt janë një popullsi trime dhe patriotike, e ndershme dhe punëtore, dhe se meritojnë shumë më mirë dhe kanë të drejta shumë më tepër.
Albin Kurti premtoi para ferizajasve drejtësi për qytetarët, prodhimin për ekonominë dhe barazi për shoqërinë, dhe shtoi se gjithë ata që e kanë vjedhur popullin, nuk e kanë vendin në shëpi, por në burg. Ai po ashtu theksoi se të tjerët Bashkimin Evropian e përdorin si njëfarë vendi ku pasi të integrohemi do të dalin nga varfëria, por tha se e vërteta është se pa u përmirësuar kushtet nuk do të anëtarësohemi.
“Dera drejt BE-së e ka numrin 35”, tha ai, duke shtuar se vetëm me VETËVENDOSJE!-n Kosova do të integrohet në BE.
Ndërsa, kandidati për deputet, Glauk Konjufca, ka filluar fjalën e tij me një rrëfim për vitin 1999, pas përfundimit të luftës. Ai tha se atëherë ekzistonte megjithatë besimi, entuziazmi, optimizmi, shpresa, përkushtimi e krenaria, por tha që pas 18 viteve, matrapazët e kanë lënë popullin pa shpresë.
“VETËVENDOSJE! do t’ia kthejë popullit shpresën dhe të ardhmen. Do t’ia kthejë Kosovës drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik”, premtoi Konjufca në Ferizaj.