Konjufca: LDK nuk shfaq vullnet për bashkëpunim me Vetëvendosjen

11.08.2017 20:43
Konjufca: LDK nuk shfaq vullnet për bashkëpunim me Vetëvendosjen

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka shfaqur vullnet për bashkëpunim me VV-në

“LDK-ja përgjithësisht nuk shfaq vullnet të fortë për bashkëpunim, kemi pasur tri takime deri më tash. Ata kanë qenë të interesuar me fol për seancë, por jo për program drejt krijimit të një qeverie tjetër. Kjo neve na çudit”, ka thënë ai.

Konjufca ka folur edhe për deklaratën e Hotit se VV duhet të kërkojë falje paraprakisht për veprimet e saj në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të diskutohet për bashkëpunime mes dy partive.

“Këto deklarata janë bërë për dëmtimin e bashkëpunimit më VV-në. Kjo i dëmton raportet tona dhe janë deklarata të pamatura”, tha ai.

Sipas tij LDK-ja, dëshiron një distance të barabarta nga PDK-ja dhe VV, për të projektuar ndonjë pazar për vetvete.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë ankand siç po bënë LDK-ja, por kemi nevojë për një bashkëpunim të sinqertë me LDK-në. Ky pozicion aktual që përfaqëson Avdullah Hoti, më shumë i përket Gardës së vjetër të LDK-së, e cila nuk donë reformime të brendshme dhe e cila nuk i jep mundësi artikulimi të një grupi aty brenda të përfaqësuar nga Vjosa Osmani, të cilët hapur kanë shfaqur hapur një mundësi bashkëpunimi me VV-në” tha ai në një intervistë për RTK.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka folur edhe për deklarimin e Pacolli për ultimatum

“Do të ishte gabim përcaktimi i z.Pacolli me PAN-in. Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet LAA dhe VV-së, e shtyn Pacollin për afrim me PAN-in”, tha ai, njofton rtklive.

Për demarkacionin, Konjufca, ka thënë se do të shikohet mundësitë për të zgjidhur këtë problem, duke mos e anashkaluar edhe Arbitrazhin.

Kurse për qeverisjen gjithëpërfshirëse, Konjufca, bëri me dije se si VV, janë kundër kësaj.