Konflikte të reja në kufi të Gazës dhe Izraelit

Palestinezët e kaluan kufirin nga Gaza, Izraeli përgjigjet me zjarr nga tanket.

Konflikte të reja në kufi të Gazës dhe Izraelit

Ushtria izraelite sot në mëngjes ka gjuajtur me granata nga tanket pozitat e Hamasit në Rripin e Gazës, transmetojnë mediet izraelite.

Siç pretendohet në kumtesën e ushtrisë, kjo ishte përgjigje në zjarr të cilin e kanë hapur “terroristët të  cilët kanë kaluar nga Gaza në Izrael në orët e hershme të mëngjesit”.

Mediet izraelite përkujtojnë se të shtunën kanë vdekur dy palestinezë nga plagët e marra në demonstratat masive në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin më 14 maj, ditën e hapjes së ambasadës së SHBA në Jerusalem, e që palestinezët e kundërshtojnë ashpër, transmeton Insajderi.com.

Me vdekjen e tyre numri i të vrarëve në demonstrata u rrit në 64. Ky është numri më i madh i viktimave të një dite në vitet e fundit.

Më shumë se 1.300 demonstrues janë plagosur me municion luftarak, pretendon Ministria e shëndetësisë palestineze në Gazë.

Vrasja e dhjetëra palestinezëve ka shkaktuar kritika në gjithë botën ndaj Izraelit si dhe krizë diplomatike me Turqinë.

Palestinezët sot herët në mëngjes kanë hapur zjarr në automjetet izraelite në territorin tjetër palestinez në Bregun Perëndimor. Askush nuk është plagosur në incidentin i cili ndodhi afër Ramalas.

Momentalisht është duke u zhvilluar ndjekja e sulmuesve, kanë thënë në ushtrinë izraelite.

Zëdhënësi i ushtrisë ka deklaruar se palestinezët janë përpjekur t’i qëllojnë automjetet të cilët kalonin afër vendbanimit çifut Talmon por nuk kishin sukses, gjë që ushtria e ka përshkruar si “sulm të dështuar terrorist”./Insajderi.com.