Konfirmohet: Islam Pacolli ka sulmuar fizikisht oficerin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë

Konfirmohet: Islam Pacolli ka sulmuar fizikisht oficerin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë

Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli ka sulmuar një zyrtar policor në Ministrinë e Drejtësisë pasi deputeti ka refuzuar të zbatojë urdhrat e dhënë nga oficeri policor.

Agron Borovci, zëdhës i Policisë së Kosovës ka thënë pë Insajderi, se  se sulmi ka ndodhur sot në orën 15:00 dhe se po tenton të marrë edhe një version të deputetit. Por, që ai nuk e ka specifikuar se bëhet fjalë për Pacollin.

“Rreth orës 15:00 është raportuar se oficeri i sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë deri sa ka qenë në kryerjen e detyrës  është sulmuar nga një deputet. Deri te sulmi dyshohet të ketë  ardhur për shkak se deputeti ka refuzuar të zbatoj urdhërat e ligjshëm të dhëmë nga oficeri policor”, ka thënë Borovci për Insajderi.

Borovci ka shtuar se Policia e Kosovës nuk e ka arrestuar asnjë person, por thotë se janë duke i hetuar rrethanat e rastit, dhe do përpiqen që t’i intervistojnë personat e përfshirë në rast.

“Policia ka filluar një hetim për sqarimin e  rrethanave të rastit, ka njoftuar edhe prokurorinë e shtetit i cili ka rekomanduar intervistimin e palëve të përfshira në rast.Oficeri policor ka deponuar deklarimin e tij e përderisa policia është në përpjekje për të kontaktuar edhe deputetin e involvuar në rast”, ka përfunduar Borovci.

Islam Pacolli, vëllau i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është njëri nga dy deputetët e AKR-së. Ai së bashku me Labinot Tahirin janë përfaqësuesit e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës./Insajderi.com