Konfirmohen hetimet rreth akuzave për korrupsion në EULEX

Konfirmohen hetimet rreth akuzave për korrupsion në EULEX

Bashkimi Evropian ka konfirmuar hetimet në lidhje me akuzat për korrupsion në misionin e EULEX-it. Hetimet po zhvillohen ndaj shefit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje. Po ashtu, BE-ja po heton edhe në lidhje me akuzat që Simmons i ka bërë ndaj EULEX-it, për korrupsion brenda këtij misioni.

Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka thënë se BE-ja, si edhe misioni i EULEX-it, kanë zero tolerancë për akuzat dhe për sjellje të pahijshme të të gjithë anëtarëve të misionit.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat janë hetuar dhe raportuar në bordin disiplinor.

“Akuzat janë hetuar nga një gjyqtar i pavarur dhe disa nga të gjeturat janë pranuar në bordin disiplinor. Dua të theksoj se të gjitha procedurat e parapara në kod janë ndjekur me përpikëri”, ka thënë Kocijançiq.

“Nuk mund të flas enkas për ndonjë akuzë dhe për hetimet që po vazhdojnë”, ka thënë ajo.

Përderisa EULEX-i po e heton gjykatësin tashmë të larguar, edhe Simmons ka akuzuar Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit në Kosovë – EULEX, se nuk e ka luftuar korrupsionin, duke e arsyetuar këtë mosveprim me ‘ruajtjen e stabilitetit” në Kosovë, si një shtet ende i brishtë.

Dorëheqja e Malcom Simmons, paraqet rastin e dytë pas të cilit hapet çështja e korrupsionit në EULEX. Paraprakisht, prokurorja nga ky mision, Maria Bamieh, i kishte akuzuar kolegët e saj për marrje ryshfeti, çka i kushtoi asaj me shkarkim.