Konferencat e PDK-së që “disponojnë” zyrtarët e Vetëvendosjes

Konferencat e PDK-së që “disponojnë” zyrtarët e Vetëvendosjes

PDK-ja dega në Prishtinë kohëve të fundit i ka shpeshtuar konferencat për media, duke shfaqur pretendimet e tyre kundër punës së kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili vjen nga Lëvizja vetëvendosje.

Zakonisht nuk kanë munguar as kundërpërgjigjet e të parit të Prishtinës, sikurse nuk kanë munguar as përfshirjet e zyrtarëve tjerë të të dyja partive, duke përdorur akuza të rënda ndaj njëra-tjetrës.

Megjithatë, mbajtja e këtyre konferencave nga PDK-ja, sidomos të dielave, ka “disponuar” zyrtarët e Vetëvendosjes, duke i quajtur ato qesharake.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka ironizuar me paraqitjet e PDK-së në konferenca të këtij lloji.

“Shumë po më disponojnë këto konferencat qesharake të PDK-së që zakonisht po i mbajnë të dielave”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Po ashtu, edhe zyrtari për media i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti, konferencat e PDK-së në Prishtinë, i ka krahasuan me programet humoristike.

“Meqë të dielave – me aq sa di – skema programore në televizionet tona është paksa e varfër dhe mungojnë programe humoristike, konferencat e PDK-së janë gjëja më e shkëlqyeshme për ditën e fundit të javës. Mos u ndalni taravola!”, ka shkruar ai në facebook.

Akuzat e PDK-së, pak më seriozisht i ka marrë kreu i komunës, Shpend Ahmeti. Ai u është kundërpërgjigjur akuzave.

“Kur të akuzuar për korrupcion e uzurpatorë të tokave flasin me akuza për komunën tonë e di që jemi mirë e në rrugë të drejtë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook./Insajderi.com