Koncert për paqe në kufirin midis dy Koreve

Koncert për paqe në kufirin midis dy Koreve

Në një kohë kur tensionet janë më të larta se kurrë, kufiri mes dy Koreve, një nga më të militarizuarit në botë, është shndërruar në arenë të një koncerti pop.

Çdo vit, yjet e popit koreano-jugor performojnë pranë zonës së demilitarizuar që ndan gadishullin korean, në një koncert paqeje.

Këtë vit, koncerti erdhi ndërsa Koreja e Veriut kërcënon se do të godasë me raketa territorin amerikan të Guamit, ndërsa presidenti amerikan e ka kërcënuar atë me “zjarr dhe tërbim”, siç bota nuk e ka parë kurrë më parë.

Koncerti zhvillohet në dy faza: të shtunën performojnë artistët e popit korean, ndërsa të dielën është radha e muzikës klasike.

Sidoqoftë, koncertet nuk mbahen ekzaktësisht në zonën e demilitarizuar, por shumë pranë saj, në një destinacion turistik të quajtur “Parku i paqes”, në qytetin koreano-jugor Pajus, në veri të Seulit.

Koncertet zhvillohen edhe me mbështetjen e Ministrisë së Unifikimit, që promovon dhe përgatitet për ribashkimin e mundshëm të dy Koreve.