Komuniteti Mysliman i Shqipërisë injoron debatin për Skënderbeun, merret me një drekë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë injoron debatin për Skënderbeun, merret me një drekë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ende nuk ka komentuar debatin mbi “mbulimin” e shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në faljen e namazit të Kurban Bajramit në ambient publik në Tiranë.

KMSH, përmes një komunikate për media, ka njoftuar për shtrimin e një dreke për Shtëpinë e të Moshurave në Tiranë por nuk dhënë sqarim për mbulimin e pjesshëm të shtatorës së Skënderbeut.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e Kurban Bajramit ka shtruar drekën e kësaj feste në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Qëllimi i kësaj dreke ishte që të moshuarit të kalonin një ditë ndryshe, duke festuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer urime për Kurban Bajramin”, thuhet në njoftimin e KSHM-së.

Gjatë drekës i pranishëm ishte edhe kryetari i KMSH-së, Skender Bruçaj, i cili theksoi se simbolika e kësaj feste është të qëndruarit pranë njerëzve në nevojë, të moshuarve, fëmijëve, etj.

“Në mungesë të prindërve të mi, jam këtu sot për të ndarë disa çaste gëzimi me ju. Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj dhe ta festoj këtë drekë bajrami me njerëz si ju”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Gjatë kësaj dreke punonjës të KMSH-së drekuan dhe biseduan me të moshuarit duke mundësuar që ata të kalonin një kohë të këndshme më rastin e Kurban Bajramit.

Shtatorja e Skënderbeut u mbulua përmes një ekrani të madh në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar, teksa besimtarët myslimanë e falën namazin e Kurban Bajramit sot në mëngjes. /Insajderi.com