Komuniteti LGBTI + në Kosovë: portretizimi dhe mospërfshirja

Insajderi

Insajderi Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS)

24.03.2017 14:51

Kushtetuta e Kosovës garanton respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallime. Është detyrë e institucioneve të Kosovës që t’u garantojnë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve, e sidomos grupeve të margjinalizuara.

Komuniteti LGBTI + në Kosovë: portretizimi dhe mospërfshirja

Kushtetuta e lë të hapur mundësinë e martesës në mes të dy personave të të njëjtit seks duke mos e specifikuar fare seksin e personave, mirëpo në Ligjin për Familjen mohohet e drejta për t’u martuar dy personave të të njëjtit seks.

Neni 37 i Kushtetutës thekson se “Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Në fakt në Ligjin për Familjen që specifikon natyrën e martesës thuhet se: “Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht në mes të dy personave të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku me qëllim të krijimit të familjes” .

Në anë tjetër, neni 24 i Kushtetutës së Kosovës që flet për barazinë para ligjit thotë se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe se çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

“Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal”, shkruan në paragrafin 2 të këtij neni të Kushtetutës.

Përderisa në Kushtetutë e në Ligjin për Familje ka shpëputhje të asaj se a është e lejuar në Kosovë martesa e personave të të njëjtit seks, në shoqërinë tonë ende nuk ka njohuri të mjaftueshme për komunutetin LGBTI+.

Ky komunitet ka qenë historikisht i paragjykuar dhe i diskriminuar, duke u lënë në margjinat e shoqërisë. Ndonëse komuniteteti LGBTI+ përkrahet nga deklarimet politike e zyrtare, përkahjet e tilla mbeten vetëm deklarative.

Komuniteti LGBTI+ diskriminohet në shumë sfera shoqërore dhe ekonomike si në arsim, shëndetësi, edukim e punësim, ky diskriminim është raportuar nga organizatat jo-qeveritare të cilat punojnë ngushtë me komunitetin.

Në qasjen e shoqërisë ndaj komunitetit LGBTI+ ndikim shumë të madh ka edhe portretizimi i komunitetit në tekstet shkollore që përdoren në shkollat fillore dhe të mesme e gjithashtu edhe në tekstet universitare.

Në tekstet shkollore përveç që komuniteti LGBTI+ përmendet krejtësisht pak edhe atëherë kur përmendet ky komunitet përshkruhet me gjuhë paragjykuese dhe diskriminuese si në këta shembuj:

“Ekzistojnë edhe veçori të tilla poligjenike, të cilat diçka në masë më të vogël shmangen nga sjellja normale dhe shënohen si forma devijuese të sjelljes (prirja për kriminalitet, konsumimi i alkoolit ose i drogës, homoseksualiteti etj.)” – në librin Biologjia klasa e 12-të me autorë: Dr.Ismet Bajraktari, Dr.Ahmet Berisha, Dr.Fetah Halili, Dr.Agim Gashi.

Si dhe në Psikologjinë e klasës së 11-të me autorë Prof. Dr. Pajazit Nushi, Prof. Dr. Neki Juniku, Prof. Dr. Dashamir Bërxulli thuhet: “Fetishizmi transvestik ka të bëjë me arritjen e kënaqësisë seksuale, duke u veshur si një person i seksit tjetër”.

Si pasojë e mosinformimit dhe paragjykimeve për komunitetin LGBTI+, Kosova llogaritet njëri ndër vendet me shkallën më të lartë të homofobisë në Ballkanin Perëndimor. Ky rezultat ka dalë nga kompania IPSOS, me bazë në Francë, e cila rradhitet e treta në industrinë globale të hulumtimeve, e cila gjatë muajve qershor dhe korrik të vitit 2015, kishte kryer një hulumtim në Ballkanin Perëndimor, mbi çështjen e komunitetit LGBTI+.

Duke marrë parasysh gjendjen e komunitetit LGBTI+ në Kosovë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë,  përmes fushatës edukuese avokon që kjo temë të diskutohet në mënyrë konstruktive dhe që qasja e institucioneve karshi të drejtave të komunitetit LGBTI+ të ndryshojë duke garantuar gjithëpërfshirje.

Si shihet komuniteti LGBTI+ në Kosovë dhe sa përkrahet?

Vjollca Krasniqi, doktore e Sociologjisë dhe ligjëruese në Universitetin Publik, “Hasan Prishtina” tregon për YIHR-KS se si shihet komuniteti LGBTI+ në Kosovë.

Sipas saj, “Komuniteti LGBTI+ nuk është i ndryshëm apo i padobishëm për shoqërinë siç perceptohet nga shoqëria kosovare.  Hetorogjinitetin dhe diversitetin që e sjell komuniteti LGBTI+ në shoqëri nuk është e keqja përkundrazi është e bukura. Ajo që e bënë sa më shumë diskutim, që bënë  pranim të diferencës, pranim të diversitetit shoqëror, ajo shoqëri ka shansë që të jetë më e barabarë dhe më drejtë”.

“Komuniteti LGBTI+ duhet të jetë pjesë e diskursit dhe praktikës së të drejtave të njeriut në Kosovë dhe çdokund tjetër”, ka deklaruar Krasniqi. Ndërsa Agim Margilaj, aktivist dhe përfaqësues nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, ‘CSGD Kosova’, organizatë e cila punon në fuqizimin e komuniteti LGBTI+ në Kosovë thotë se ende ka nevojë të punohet në këtë drejtim sidomos në aspektin lokal ku ende ka vështirësi.

Margilaj flet me pozitivitet për hapësirën që organizatat jo-qeveritare u ofrojnë të rinjve që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e komuniteti LGBTI+ dhe shprehin vullnetin që të jenë pjesë e kauzës, por që gjithmonë kanë nevojë për më shumë përkrahje.

“Gjithnjë e them se motra jote, vëllau yt, kolegu yt i punës, kolegu yt i shkollës, universitetit mund të jetë nga komuniteti LGBTI+ dhe normalisht që ky komunitet ka nevojë për përkrahje”, ka potencuar Margilaj për YIHR-KS.

Tutje ai ka theksuar rëndësinë që komuniteti të ketë përkrahje si në nivelin lokal dhe qendror nga institucionet relevante. Sipas tij ky komunitet nuk kërkon asgjë më shumë përveç respketimit të të drejtave elementare si për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Transgjinori i parë i hapur në Kosovë

Lendi Mustafa, është aktivist i komunitetit LGBTI+, dhe transgjinori i parë që ka folur hapur rreth identititeti të tij gjinor. Ai shprehet se komuniteti nuk kërkon hiç më shumë se sa respektimin e të drejtave të tyre.

Mustafa ka ndarë përvojën e tij si transgjinori i parë i hapur në Kosovë, duke përshkruar përjetimin sesi si fëmijë ka qenë gjithmonë i hapur në lidhje me identitetin gjinor. “Ka qenë pak stresuse në fillim se nuk e kam ditë çfarë reagime kanë me pas njerëzit, po çuditërisht personalisht më kanë ardhë krejt mesazhe pozitive” ka deklauar Mustafa për YIHR- KS.

Lendi Mustafa, pasi që kishte dalur hapur si transgjinor ishte ballafaquar me komente homofobike dhe transfobike. Për këtë Lendi tregon për rëndësinë që ka përkrahja e familjes për komunitetin LGBTI+, duke vlerësuar përkrahjen e dhënë nga familja dhe shoqëria që i kanë qëndruar afër.

Aktivizmi LGBTI+ ka arritur që për tre vite me radhë të organizojë marshin për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, aktivistë të ndryshëm dhe figura tjera publike e politike.

Aktivistja Blerta Morina, nga organizata CEL Kosova tregon për marshin si një ndër aktivitetet kryesore të aktivizmit LGBTI+ në Kosovë dhe rëndësinë e këtij organizimi.

“Ideja e marshit, qysh ne si organizata e kemi pa, është që në momentin e parë kur një grup nuk është në nivel të barabartë të drejtave me grupin tjetër patjetër që ajo duhet me u manifestu me marsh se vetëm në këtë mënyrë shprehen pakënaqësitë.”, ka deklaruar Morina për YIHR- KS.

Përkundër faktit që kohëve të fundit ka pasur nisma ku diskutohet për komunitetin LGBTI+ që padyshim ndikojnë në ndryshimin e qasjes së shoqërisë ndaj komunitetit, kjo jo domosdoshmërisht garanton respektimin dhe zbatimin e ligjeve.

Mënyra se si komuniteti LGBTI+ portretizohet në librat shkollorë apo mos përfshirja e tyre në këta libra, nënkupton qëndrimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ndaj komunitetit që është në kontradiktë me zotimin që intstitucionet i kanë marrë përsipër për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ndonëse të gjitha ministritë dhe institucionet tjera shtetërore thirren si garantuse të të drejtave të njeriut, MAShT-i e vërteton të kundërtën duke mos ofruar informata të vërtetura shkenctarisht apo duke përjashtuar tërësisht një grup mjaft të madh shoqëror. Kjo ndikon në krijimin e një mendësie homofobike dhe përjashtuese tek gjeneratat e reja dhe përforcon diskriminim dhe rritë numrin e rasteve të dhunës.

Komuniteti LGBTI+, nuk është grup shoqëror i privilegjuar që kërkon të drejta të veçanta, komuniteti LGBTI+ është pjesë përbërëse e shoqërisë dhe të drejtat e tyre janë të drejta të njeriut.

(Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar  – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC)