Komuna që mban sot zgjedhje, por nuk është në balotazh

19.11.2017 12:34
Komuna që mban sot zgjedhje, por nuk është në balotazh

Derisa në 19 komuna në Kosovë sot po mbahet gara për balotazh, është edhe një komunë tjetër që është sot në proces zgjedhor, por nuk është pjesë e balotazhit.

Komuna e Parteshit sot mban zgjedhjet lokale për të dytën herë, por jo si balotazh, por si rizgjedhje, apo përsëritje e zgjedhjeve.

Nga kjo i bie në Kosovë sot janë 20 komuna në proces zgjedhor.

Parteshi shkoi në rivotim pas konfirmimit për blerje të votave nga kandidati i Listës Serbe.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa kishte marrë vendim që në komunën e Parteshit të përsëriten zgjedhjet.

Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) erdhi pas ankesës së kandidatit Nenad Cvetkoviq, i cili akuzoi kandidatin e Listës Serbe, Dragan Petkoviq, për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Në arsyetimin disa faqesh të PZAP-së thuhet se pas ankesës të kandidatit për kryetar të komunës Nenad Cvetkoviq, për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor nga kandidati i listës serbe Dragan Petkoviq, kjo komunë duhet të shkojë në rivotim.

Sipas vendimit të PZAP-së, Dragan Petkoviq nga Lista Serbe kishte blerë vota nga 30 deri në 50 euro, krejt kjo që votuesit në këtë komunë të votojnë për të.

Për më tepër, komuna e Parteshit, edhe pse është ende në raundin e parë të zgjedhjeve, gjasat për balotazh duket se janë të vogla, për të mos thënë të panevojshme, për shkak se aty janë vetëm dy kandidatë të garë.