Komuna që bleu ora dore për asamblistët, dy muaj para përfundimit të mandatit

29.08.2017 21:26
Komuna që bleu ora dore për asamblistët, dy muaj para përfundimit të mandatit

Derisa kanë mbetur më pak se dy muaj deri në përfundimin e mandatit 4-vjeçar të qeverisjes lokale në komunat kosovare, një komunë ka shfrytëzuar pushtetin për të blerë ora dore për asamblistët e Kuvendit Komunal.

Bëhet fjalë për Komunën e Novobërdës, Kuvendi Komunal i së cilës komunë ka blerë ora dore për asamblistët.

Siç njofton Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Komuna e Novobërdës ka shpenzuar 980 euro për t’i blerë orat e dorës për asamblistët komunal. Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës në KRPP, Komuna e Novobërdës nuk jep detaje se për sa ora të dorës bëhet fjalë.

Numri i kompanive që kishin konkurruar për këtë tender ishte tre. Por, tenderin e fitoi kompania që ofroi çmimin më të ulët, prej 980 eurove, raporton Insajderi.

Komuna e Novobërdës udhëhiqet nga kryetari Svetisllav Ivanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe. /Insajderi.com