Komuna e Prishtinës s’i jep leje ndërtimi pronarit të gazetës Kosova Sot

Komuna e Prishtinës s’i jep leje ndërtimi pronarit të gazetës Kosova Sot

 

Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se komuna nuk do t’i japë leje drejtorit të gazetës Kosova Sot për ndërtim në lokacionin prapa Pallatit të Rinisë.

Ai e ka arsyetuar këtë qëndrim të Komunës duke thënë se “mespërmes parcelës së tij shtrihet prona Komunale”.

Për më tepër, ai e ka cilësuar Kadriun, babin e ish-deputetes Margarita Kadriu, si njëri të PDK-së dhe se insistimin për t’ia dhënë pronën e kanë bërë zyrtarë të kësaj partie sot gjatë ditës.

“Disa nga PDK, në konferencë për media sot paskan kërkuar që Komuna e Prishtinës ti japë leje njeriut të saj Ruzhdi Kadriut në lokacionin prapa pallatit të rinisë duke e ditë që mespërmes parcelës së tij shtrihet prona Komunale”, ka shkruar Aliu në llogarinë e tij në Facebook.

“Dhënia e lejeve ndërtimore duke cenuar pronat komunale ka qene praktikë në të shkuarën por është ndaluar nën qeverisjen e Shpendit”, ka shtuar ai.

Tutje, Aliu ka thënë se “edhe PDK e edhe kushdo tjetër duhet ta kuptojë që në Prishtinë e kaluara nuk kthehet”./Insajderi.com