Komuna e Prishtinës shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Komuna e Prishtinës shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Komuna e Prishtinës ka vendosur që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për 48 orët e ardhshme për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës.

“Duke i pasur parasysh reshjet e vazhdueshme të borës, temperaturat shumë të ulëta dhe vështirësitë që këto kushte mund t’i sjellin në qarkullim, Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 48 orët e radhës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna ka njoftuar se do të angazhojë kompani shtesë për pastrimin e rrugëve.

“Të gjitha kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve, me të gjitha kapacitetet që kanë duhet të jenë në terren. Përveç 8 kompanive aktuale, do të angazhohet edhe një kompani shtesë, në mënyrë që sa më shpejt të përmirësohet situata si në rrugët në qytet ashtu edhe në rrugët nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftim.

“Iu bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos ngasin automjetet e tyre pa pajisjet dimërore, si dhe të mos parkojnë makinat në vendet ku pengojnë kompanitë e pastrimit të kryejnë punët e tyre. Masat e tilla të ndërmarra janë për të shmangur bllokimet dhe aksidentet eventuale, megjithëse deri më tani të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme.”

Bora e që ka rënë gjatë dy ditëve të fundit ka shkaktuar shumë vështirësi në komunikacionin rrugorë ndërsa, si pasoj e kësaj gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 127 aksidente.

Sipas policisë së Kosovës 27 nga këto aksidente kanë qenë me të lënduar, ndërsa të tjerat vetëm me dëme materiale./Insajderi.com