Komuna e Klinës ua “vodhi” nga 5 euro qytetarëve të saj, përmes çerdheve

Jashtëligjshëm qytetarët e Klinës u dëmtuan financiarisht nga Komuna gjatë vitit 2016, thotë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin Financiar Vjetor për këtë komunë.

Komuna e Klinës ua “vodhi” nga 5 euro qytetarëve të saj, përmes çerdheve

Komuna e Klinës me apo pavetëdije ua ka marrë nga 5 euro qytetarëve të saj, duke përdorur çerdhet publike për fëmijë.

Edhe pse tarifa mujore për dërgimin e fëmijëve në çerdhe është 20 euro – sipas rregullores së Komunës së Klinës, komuna detyroi qytetarët që të paguajnë nga 25 euro.

Jashtëligjshëm qytetarët e Komunës së Klinës u dëmtuan financiarisht, thotë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin Financiar Vjetor për Komunën e Klinës, për vitin 2016.

“Në të gjitha rastet qytetarët ishin ngarkuar me tarifë mujore nga 25€, për dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Kjo vlerë është në kundërshtim me rregulloren për tarifa, e cila përcakton se pagesa duhet të jetë 20€ për muaj”, njofton Auditori Gjeneral.

Në llogaritjet që Auditori i Përgjithshëm ka bërë, del se qytetarët paguan për të dërguar fëmijët në çerdhe rreth 3.000 euro më shumë se që parashihej me ligj, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Për vitin 2016, qytetarët kishin paguar në total 13,825€, apo 2,765€ më tepër sesa parashihet me rregulloren e komunës”, thuhet në raportin e ZKA-së, ku bëhet e ditur se komuna ka bërë inkasime të tarifave pa ndonjë bazë të qartë ligjore.

Madje, siç njofton Auditori Gjeneral, qytetarët që u detyruan të paguajnë 5 euro më shumë se që duhej, mund të kërkojnë nga Komuna e Klinës për rimbursimin e parave.

“Mos inkasimi i të hyrave sipas rregullores në fuqi, ndikon që qytetarët të ngarkohen me shuma më të larta nga sa parashihet me rregulloren aktuale dhe kjo mund të dëmtoj kredibilitetin e komunës ndaj qytetarëve. Gjithashtu, ekziston mundësia që qytetarët të kërkojnë rimbursimin e parave të paguara më tepër”, njofton Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). /Insajderi.com