Komuna e Kaçanikut paguan personin edhe pas skadimit të kontratës

Komuna e Kaçanikut paguan personin edhe pas skadimit të kontratës

Komuna e Kaçanikut ka paguar një ish të punësuar të komunës edhe pas skadimit të kontratës së punës. E gjetura e Zyrës Kombëtare të Auditimit tregon se Komuna e Kaçanikut e ka paguar një person edhe një muaj pas skadimit të kontratës së punës.

Në raportin vjetor financiar të Komunës së Kaçanikut për vitin 2016, të përpiluar nga Auditori Gjeneral, thuhet se kjo komunë nuk respektoi afatet kohore të skadimit të kontratës për një punonjës.

“Në një rast kemi evidentuar se një i punësuar në departamentin e shërbimeve të shëndetësisë primare është paguar me pagë në muajin pasues pas skadimit të kontratës së punës, ndërsa marrëdhënia e punës i është ndërprerë me aktvendim pas pranimit të pagës, respektivisht në fillim të muajit të dytë pas
skadimit të kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo shkelje e komunës mund të jetë e rrezikshme.

“Mos respektimi i afateve kohore të skadimit të kontratës së marrëdhënies së punës, respektivisht ekzekutimi i pagës pas përfundimit të kontratës së punës, mund të rezultoj me shpenzim të pa planifikuar të buxhetit”, njofton raporti. /Insajderi.com