Komuna e Drenasit mohon të ketë larguar mësimdhënëse gjatë pushimit të lehonisë

Komuna e Drenasit mohon të ketë larguar mësimdhënëse gjatë pushimit të lehonisë

Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Drenasit ka lëshuar një sqarim ku mohon të ketë larguar mësimdhënëse gjatë pushimit të lehonisë.

“Për hir të korrektësisë dhe transparencës, ne do ju sqarojmë në vijim të gjithë procedurën e mësimdhënëses se apostrofuar në debatin televiziv të TV Dukagjini të datës 23.09.2017, mirëpo kjo komunikatë, assesi nuk përmban qëllime politike, por sqarim të opinionin për të vërtetën e këtij rasti”, thuhet në komunikatë.

“Me datën 19.01.2017 Inspektorati i Punës ka dërguar vendimin me numër 37/00243/14-A ku decitivisht ka konstatuar se DKA-ja ishte obliguar që ne afat prej 8 ditësh të ndërmarr këto masa; të anuloj rezultatet e konkursit për shkollën ku e apostrofuara ishte punësuar, të përsëritet procedura e përzgjedhjes së kandidatëve, ne atë mënyrë që të ftohen për rivlerësim të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në këtë pozitë sipas konkursit 111/39381, të datës 14.07.2016 për vendin, mësimdhënës i arsimit fillor në SHFMU “Rexhep Gjeli” Likoshan”, vazhdon njoftimi i Komunës së Drenasit.

“Punonjësja e apostrofuar, është pranuar si mësimdhënëse në vitin shkollor 2016-2017 me 1 shtator të vitit 2016, mirëpo pas pranimit të saj, kundër kandidatja ka ushtruar ankesë ndaj saj, sepse ishte e padiplomuar, dhe Inspektorati i Punës ( shkalla e dytë ) pas shqyrtimit të ankesës kundër kandidates kishte kthyer procesin në rivlerësim. Pas kësaj procedure e apostrofuara ka qenë e pranishme gjatë intervistimit, mirëpo është njoftuar sepse ndaj të njëjtës nuk mund të zhvillohet procedura e intervistimit pasi që nuk i plotëson kriteret ne bazë të Udhëzimit Administrativ 06/2015 ( mungesë diplomës Universitare ). E njëjta nuk është dëmtuar, por ka gëzuar të drejtën e pagës 70 për qind, ndaj Drejtoria Komunale Arsimit kërkon që rastet e tilla të mos keqpërdorën dhe të personalizohen për qëllime politike, sepse ndaj saj janë marr masa me kohë dhe janë respektuar të gjitha procedurat ligjore”, përfundon sqarimi i Komunës së Drenasit./Insajderi.com