Biznesmeni që e bëri horë ambasadoren Çitaku

19.03.2017 22:11

Vlora Çitaku ishte në mëdyshje për të thirrur një takim të Këshillit të Sigurisë së OKB-së një javë më parë, kur u informua se një autobus kosovar ishte sulmuar në Serbi. Ambasadorja e Kosovës në SHBA ishte demantuar nga pronari i kompanisë, e ishte detyruar që të kërkojë falje publike për akuzat ndaj shtetit serb.

Biznesmeni që e bëri horë ambasadoren Çitaku

Saktësisht një javë më parë, më 12 mars, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku u demantua nga kompania e udhëtimeve “Bici-Com” për një sulm që kjo kompani kishte pësuar në Serbi, dhe e kishte fshehur.

Pasi një lajm për sulm ndaj kësaj kompanie kishte “vërshuar” në mediet e Kosovës, ambasadorja Çitaku kishte nxituar të akuzonte Serbinë. Ajo madje shprehej e gatshme që të thërras një takim të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë rast.

Çitaku e quajti hipokrit shtetin serb, raporton Insajderi.

“Një autobus që transportonte kosovarët është sulmuar sot në Serbi. Ndoshta duhet të thërrasim takimin e Këshillit të Sigurisë. Hipokrizi. Standarde të dyfishta. A e ka dënuar dikush këtë sulm nga komuniteti ndërkombëtar?”, kishte shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook.

Nuk kishte vonuar shumë, derisa Çitaku ishte demantuar nga Bexhet Bici, pronar i kompanisë “Bici-Com”. Bici e kishte demantuar lajmin për sulm ndaj autobusit të kompanisë së tij javën e kaluar, në një intervistë me televizionin Klan Kosova.

Për Çitakun ky demantim i kompanisë kosovare të udhëtimeve ishte “një mësim i mirë”, siç kishte thënë edhe ajo vet përmes një shkrimi ku kërkonte falje publikisht për reagimin e parë të ashpër që kishte bërë ndaj Serbisë.

“Sapo u informova se kompania ka mohuar se ka ndodhur një sulm. Me gjasë ishte një lajm i rremë. Kërkoj falje të sinqertë. Mediumi që raportoi lajmin nuk e ka kontaktuar kurrë kompaninë e autobusëve”, shkruante Çitaku.

“Më vjen shumë keq sepse unë nuk kam dashur të ndaj një lajm të rremë dhe të shkaktoj panik. Ky është mësim i mirë për mua, dhe të gjithë ne duhet të shikojmë më shumë për burimin e informacionit. Lajmi i rremë është i rrezikshëm. Ai nxit konfuzion dhe pasiguri. Kërkoj falje. Duhet të verifikoj më shumë”, deklaronte ambasadorja.

E kompania që e bëri horë ambasadoren Çitaku një javë më parë, ka pranuar sot se lajmi që e demantuan ata vet një javë më parë ishte i vërtetë në fakt.

Këtë sqarim, pronari i kompanisë “Bici-Com” e dha pasi njëri nga autobusët e kompanisë së tij u sulmua edhe të shtunën e 19 marsit në Serbi.

Bici tha për televizionin KTV se ky nuk është rasti i parë që autobusët e kësaj kompanie janë sulmuar në Serbi. Ai tha se rasti i parë ka ndodhur para nëntë ditëve, por ata nuk e kanë lajmëruar rastin në media, me arsyetimin që të mos bëhej e madhe.

Për këtë fshehje të rasteit që kompania “Bici-Com” ka zgjedhur të bëjë, sot reagoi ambasadorja e Kosovës në SHBA. Çitaku tha se ka mbetur “pa fjalë” nga veprimi i kompanisë.

“Tash na doli, që kompania e udhëtimeve paska fshehur rastet e sulmeve të autobusëve. Rastet qenkan të hapura në policinë e Serbisë, dhe qenkan disa. E unë shqetësohem pse të tjerët nuk reagojnë, kur jemi ne vet që i mbulojmë. Pa fjalë”, ka shkruar sot Çitaku në Facebook.

Kompania “Bici-Com” është një kompani kosovare e udhëtimeve nga fshati Godishnjak i Podujevës. Kjo kompani është e regjistruar si “biznes individual” në ARBK dhe vepron që nga viti 2003.

Ajo mbanë vijë të rregullt të autobusëve nga Vjena në Prishtinë.  /Insajderi.com