Kompania publike në Ferizaj punësoi njerëz pa konkurse

Kompania publike në Ferizaj punësoi njerëz pa konkurse

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2016 Kompania rajonale e mbeturinave “Pastërtia Sh.a” në Ferizaj, ka pranuar punëmarrës pa shpallur konkurs dhe pa zhvilluar procedura të rekrutimit.

Auditori ka thënë se kjo ndërmarrje publike rajonale në Ferizaj, punësoi katër persona pa zhvilluar procedura të rekrutimit, siç parashihen me ligj.

Sipas Ligjit të Punës (neni 8), Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës, njofton Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Gjatë vitit 2016, Pastërtia kishte angazhuar katër punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të cilët nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Më tej në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016, shpjegohen procedurat e rekrutimit të një punonjësi në ndërmarrje publike, derisa thuhet se kompania “Pastërtia Sh.a” nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuara për angazhim të punonjësve, raporton Insajderi.

“Në tri procese rekrutimi, komisionet për rekrutim kanë konstatuar se nga të gjithë kandidatët që kanë aplikuar, nuk arrin në tre numri i atyre që i plotësojnë kriteret e konkursit, duke specifikuar se nuk i kanë përmbushur kriteret e konkursit, ndërsa Pastërtia kishte vazhduar me procesin e rekrutimit duke i punësuar kandidatet e suksesshëm”, thuhet në raport.

Po ashtu, Auditori ka thënë se “sipas Udhëzimit për Marrëdhënien e Punës (neni 5), kandidatët e përzgjedhur duhet të ftohen me shkrim së paku 48 orë para testimit. Në pesë procese të rekrutimit aplikantët nuk ishin ftuar me shkrim për t’iu nënshtruar testit ose intervistës. Sipas zyrtarit të burimeve njerëzore, të gjithë aplikantët ishin ftuar vetëm përmes telefonit”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka paralajmëruar se punësimi i personave në mënyrë të tillë, rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

“Mos zbatimi i procedurave të rekrutimit, mos njoftimi i kandidateve me shkrim, mos realizimi i testimit dhe intervistës si dhe angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës si dhe pa zhvilluar ndonjë proces konkurrues minimizon konkurrencën dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara”, njofton Auditori. /Insajderi.com