Kompania nga Beogradi bleu 12 mijë tonelata xehe të Trepçës

Kompania nga Beogradi bleu 12 mijë tonelata xehe të Trepçës

Një kompani nga Beogradi ka blerë mijëra tonelata xehe të ndërmarrjes Trepça. Vendimi për kontraktimin e kompanisë nga Beogradi, “Metal-Hemiko”, është marrë nga menaxhmenti i pjesës veriore të ndërmarrjes, me bazë në Zveçan. 

Tonelata xehe të ndërmarrjes “Trepça” i janë shitur një kompanie me bazë në Beograd.

Ky vendim është marrë nga menaxhmenti i pjesës veriore të Trepçës, i cili nuk kontrollohet plotësisht nga autoritetet kosovare, ndonëse zyrtarisht është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Vendimi i këtij menaxhmenti, i marrë më datën 14 shkurt të këtij viti, ka bërë përfitues kompaninë “Metal-Hemiko”, me bazë në Beograd të Serbisë.

Kompania nga Beogradi ka fituar dy lotet e tenderit për shitjen e materialit të situr të plumbit.

Tenderi është ndarë në dy lote/pjesë. I pari ka të bëjë me shitjen e materialit të situr të plumbit që gjendet në shkritoren e Trepçës në veri. Sasia e këtij materiali është 8 mijë tonelata.

Kompania nga Beogradi, bazuar në Njoftimin për Dhënie të Kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për blerjen e kësaj xehe do të paguajë 864 mijë euro.

Kompania është shpallur fitues me 14 shkurt të vitit 2017.

Po, ashtu në të njëjtën ditë menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça, e cila gjendet në pjesën veriore, ka bërë edhe shitjen e materialit të situr të plumbit që gjendet në rafinerinë e ndërmarrjes. Sasia e këtij material është rreth 4 mijë tonelata. Kompania nga Beogradi do të paguajë 428 mijë euro për blerjen e kësaj sasie të materialit të plumbit.

Pjesa veriore e Trepçës  deri më tash ka qenë vështirë e kontrolluar nga autoritetet qendrore në Prishtinë. Ka pasur raste kur shpenzimet e saj kanë qenë e pamundur të auditohej nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“Vlera e pasurive në Pasqyrat Vjetore Financiare nuk është e saktë dhe e plotë. Ne nuk kishim qasje fizike në objektet e Trepçës veri dhe nuk kemi mundur të kryejmë të gjitha procedurat dhe testet e nevojshme audituese dhe ekzaminimet fizike të llogarive për pasuritë dhe stoqet të Trepçës veri”, theksohet në raportin e ZAP-it, të vitit 2012.

Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë njoftuar se kanë arritur ta shtrijnë kontrollin, duke treguar se kanë zhvilluar takime me menaxhmentin serb të pjesës veriore të ndërmarrjes Trepça./Insajderi.com