Kompania kosovare jep pagë 450 euro, ankohet se nuk gjen punëtorë

Kompania kosovare jep pagë 450 euro, ankohet se nuk gjen punëtorë

Në Kosovë pothuajse për çdo vit, kompanitë private, konkretisht ato në sektorin e bujqësisë, ndërtimtarisë dhe lokalet shërbyese, përballen me problemin e punësimit sezonal të punëtorëve.

Ndonëse shkalla e papunësisë në Kosovë mbetet e lartë, sipas disa bizneseve private, shpesh ndodh që të papunët nuk janë të interesuar të punojnë në këta sektorë. Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve, thonë se mosgatishmëria e qytetarëve për të punuar punë sezonale, paraqitet për shkak të kushteve të vështira në kompanitë private.

Një ndër kompanitë vendore që për çdo sezon përballet më mungesën e punëtorëve, është kompania “Pestova”, e cila merret me përpunimin e patates.

Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj periudhe për çdo ditë i nevojiten nga 20 punëtorë të rinj, por që, sipas tij, qytetarët po hezitojnë ta punojnë vjeljen e patates.

Ai tregon se paga mujore për punëtorët e interesuar është 450 euro, tetë orë punë dhe dy shujta ushqim gjatë ditës.

“Ne jemi në vlugun e punës, por punëtorë nuk po gjejmë. Nuk dëshirojnë të punojnë, edhe pse i kanë kushtet e mira. Ata dëshirojnë të punojnë në zyre, në fabrikë, kurse në ara nuk janë të interesuar të punojnë”.

“Në Kosovë, po e them me mllef, nuk është e vërtetë se ka papunësi, por ka papunëtorë. Lokalet, kafenetë janë plot të rinj, e punë nuk dëshirojnë”, shprehet Kosumi.