Kompania e këshilluar nga Wisner fiton edhe 450 mijë euro nga Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka vendosur që kompania amerikane “Patton Boggs”, të ofrojë mbrojtje ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington kundër kompanisë gjermane “Axos”. Kompania e këshilluar nga ish-diplomati Frank Wisner ka kërkuar mbi 450 mijë euro për ofrimin e këtij shërbimi.

Kompania e këshilluar nga Wisner fiton edhe 450 mijë euro nga Qeveria e Kosovës

Një kontratë në vlerë prej mbi 450 mijë eurosh parashihet të nënshkruhet mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Patton Boggs”, të këshilluar nga ish-diplomati amerikan Frank Wisner.

Kompania ka kërkuar këtë shumë parash në këmbim të shërbimeve për ofrimin e mbrojtjes juridike në Gjykatën Arbitrazhit në Washington, ku Qeveria e Kosovës është paditur nga kompania gjermane ACP “Axos”.

Qeveria e Kosovës ka publikuar dje, më 8 nëntor, njoftimin për shpalljen e fituesit të tenderit të emërtuar “Përzgjedhja e kompanisë për mbrojtjen e Republikës se Kosovës  pranë Gjykatës së Arbitrazhit”.

Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Procedurat e prokurimit i ka udhëhequr Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Aty tregohet se në garë ishin katër kompani dhe se “Patton Boggs”, ishte përzgjedhur për shkak të ofrimit të çmimit më të ulët.

Sipas njoftimit, oferta më e lartë në garën tenderuese ishte në vlerë prej mbi 630 mijë eurosh, ndërsa më e ulëta, ajo e “Patton Boggs”, ishte në vlerë prej 452 mijë e 286 eurosh.

Kontrata parashihet të nënshkruhet më 17 nëntor të këtij viti.

Oferta e kompanisë amerikanë, e cila figuron në njoftimin e djeshëm të Qeverisë, është shumë më e ulët krahasuar me ofertën që e kishte bërë në fillim të këtij viti.

E njëjta kompani kishte kërkuar 1 milionë e 800 mijë dollarë nga Qeveria e Kosovës për të ofruar mbrojtje juridike në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington.

Kosova është paditur më 4 qershor të vitit të kaluar nga “ACP Axos Capital Gmbh”, kompania gjermane që u shpall fitues në procesin e shitjes së 75 për qind të aksioneve në Vala e Telekom. Vendimi i Qeverisë që shpallte fitues këtë kompani ishte zhvleftësuar nga mos miratimi në parlamentin e Kosovës.

Kompania “Axos” pretendon se është dëmtuar financiarisht dhe kërkon si dëmshpërblim një shumë që varion nga 100 deri në 500 milionë euro, varësisht prej vlerësimit të gjyqit në Ëashington.

Insajderi ka raportuar në muajin shkurt të këtij viti lidhur me ofertën 1.8 milionë dollarëshe të kompanisë amerikane.

Insajderi pati siguruar raportin e komisionit tetë anëtarësh, i cili përbehej nga dy përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dy të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dy të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit.

Kompania e këshilluar nga Wisner fiton edhe 450 mijë euro nga Qeveria e Kosovës

Komisioni kishte kërkuar nga firma amerikane që të përgjysmonte çmimin e ofertës që peshon 1 milionë e 800 mijë dollarë. Kjo nuk ishte pranuar nga avokatët amerikanë.  “Patton Boggs”, më 2 dhjetor të vitit të kaluar, i kishte kthyer përgjigje komisionit duke i njoftuar se nuk mund ta zvogëloi çmimin.

Avokatët amerikanë kishin njoftuar komisionin për detajet e ofertës së tyre. Kishin lloogaritur se rasti i Arbitrazhit në Washingon ka gjithsejtë 4 mijë e 500 orë pune. Një orë pune e avokatëve të “Patton Boggs” duhet të paguhet në shumë prej 400 dollarëve.

Komisioni kishte shënuar në raport se në garë kishte kompani tjera që kërkonin më pak se sa “Patton Boggs”, për të ofruar mbrojtje ligjore në Arbitrazh.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të niste proces të ri prokurimi nga fillimi.

Tash herën e dytë, sipas njoftimit të MZHE-së, doli fitues kompania “Patton Boggs”.  Por, tash, sipas MZHE-së, ka ofertën më të ulët se sa konkurrentët.

Ndërkohë, oferta shumë e ulët krahasuar me atë të fillimvitit vjen në të njëjtën javë kur Qeveria e Kosovës morri një vendim për t’i dhënë kompanisë amerikane një shumë prej 270 mijë eurosh.

Në vendimin e  Qeverisë, të marrë pardje, thuhet se “Aprovohet kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 270 mijë euro, për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë “Patton Boggs”, sipas kontratës Shërbime Lobimi dhe Konsulencë… të datës 28.02.2014 të nënshkruar mes MPJ dhe “Patton Boggs”’.

Nuk tregohet qartësisht se si është krijuar ky borxh dhe se çfarë janë kryer nga viti 2014 e tutje nga kompania amerikane.

Kompania “Patton Boggs”, po ashtu ishte kontraktuar përkohësisht që ta përfaqësoj Kosovën në këtë rast Arbitrazhi.

Qeveria e Kosovës, në maj të 2015-ës, ishte njoftuar nga Arbitrazhi në Washington për padinë e ngritur nga “Axos”.

Autoritetet kishin lëvizur shpejtë drejt gjetjës së një avokati të përkohshëm derisa të kryhen procedurat e prokurimit.

Qeveria kishte arsyetuar angazhimin e përkohshëm të kompanisë amerikane, pasi që e njëjta ishte e kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për shërbime të lobimit në SHBA.

Për angazhimin e përkohshëm, kompania amerikane ishte paguar në shumë prej mbi 17 mijë eurosh. /Insajderi.com