Komisioni për Shënimin e Kufirit: Kosova ka humbur territor

Komisioni për Shënimin e Kufirit: Kosova ka humbur territor

Kryetari i Komisionit për Shënimin e kufirit, Shpejtim Bulliqi thotë se kanë gjetur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Kosova ka humbur territor me versionin aktual të demarkacionit.

Sipas tij provat tregojnë se është bërë gabim nga Komisioni i kaluar.

Një vizitë zyrtare që është bërë në Kroaci dhe Slloveni po shihet si jetike nga kryetari dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të ri për Demarkacionin, e të cilët janë të bindur se kanë gjetur dëshmi dhe materiale të tjera relevante  se Kosova ka humbur territor nga përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Shpejtim Bulliqi kryetar i këtij komisioni ka vlerësuar se materialet e siguruara dëshmojnë se shënimi i vijës kufitare nga Komisioni i kaluar është bërë gabim.

Madje ka shprehur habinë se si anëtarët e komisionit nuk kërkuan këto fakte e dëshmi nga këto dy vende mike të Kosovës, Kroacia e Sllovenia.

Puna e Komisionit të ri, sipas tij, është fokusuar në tri segmente. E para ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare të delimitimeve dhe demarkimeve, e dyta puna në terren dhe e fundit hulumtimi i fakteve hartografike.

Bulliqi thotë se përveç materiale faktografike që tashmë i posedojnë edhe nga puna në terren kanë parë se si vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është bërë gabim.

Nëse gjithçka shkon mirë, sipas tij faktet provat dhe materialet e tjera që dëshmojnë se kufiri është bërë gabim do t’i dorëzohen qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit diku në fund të këtij muaji.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj vazhdimisht insiston se shënimi i kufirit me Malin e Zi është bërë gabim dhe se versioni aktual si i tillë duhet të bie.

Ndërkohë është presidenti Hashim Thaçi që po kërkon më ngulm që kjo çështje të kryhet në Kuvendin e Kosovës.