KOMF kërkon të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët

KOMF kërkon të drejta të barabarta për të gjithë fëmijët

Me rastin e ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kërkon nga Qeveria dhe Komunat e Kosovës për më shumë mirëqenie, përkujdesje dhe garantim të të drejtave të barabarta për fëmijët me Sindromën Down.

“Qeveria e Kosovës dhe Komunat duhet të investojnë më shumë duke e bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, të mirëqenies sociale dhe atë arsimor”, thuhet në një komunikatë për media nga KOMF.

Sipas KOMF “Mbrojtja dhe të drejtat e fëmijëve duhet të jenë një ndër prioritetet e qeverisë dhe shoqërisë sonë”.

“Për këtë arsye, KOMF bën thirrje për angazhimin e të gjitha institucioneve, vendimmarrësve si dhe profesionistëve të mandatuar për mbrojtje të fëmijëve, me qëllim përmirësimin e menjëhershëm të situatës aktuale, duke mbrojtur gjithmonë interesin më të lartë të fëmijëve”, ka përfunduar KOMF. /Insajderi.com