KOMF kërkon avancimin e legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve si viktima të dhunës

KOMF kërkon avancimin e legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve si viktima të dhunës

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka bërë të ditur se po zhvillon konsultimet për të sjellë qëndrimet e akterëve kyç të shoqërisë civile dhe akterëve relevant të institucioneve publike lidhur me rishikimin e legjislacionit që adreson dhunën ndaj fëmijëve, me fokus në dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e KOMF-it, tha se synimi i kësaj tryeze është dhënia e rekomandimeve për avancimin e legjislacionit që prek mbrojtjen e fëmijëve viktima të dhunës.

Ardian Klaiqi nga UNICEF deklaroi se, avancimi i legjislacionit ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në Kosovë. Klaiqi shprehu gatishmërinë për mbështetjen e punëtorive për avancimin e legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.

Ndërsa, profesori Ismet Salihu apeloi për respektim të parimit bazë të urgjencës në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave penale.

Kjo punëtori mundëson sjelljen e diskutimeve në mes të akterëve kryesor të fushës dhe do të ofrojë një mundësi për ti dhënë zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe grupeve të interesit, duke thelluar rekomandimet në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.

Rekomandimet e dala nga këto konsultime do t’i drejtohen institucioneve përgjegjëse për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Pjesëmarrës në tryezë janë përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues nga të gjitha nivelet sikurse zyrat ligjore të institucioneve relevante, prokurorë, gjyqtarë, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Institucioni i Avokatit të Popullit, Policia e Kosovës, UNICEF dhe ekspertë të fushës./Insajderi.com