Kolapsi energjetik – Stavileci thotë se s’ka hapësirë për panik

Kolapsi energjetik – Stavileci thotë se s’ka hapësirë për panik

Paralajmërimet se mund të ketë mungesë të energjisë për shkak të mungesës së thëngjillit si pasojë e shpronësimeve, u diskutua edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci tha se nuk ka hapësirë për panik, pasi që institucionet përkatëse,  kanë ndërmarrë të gjitha masat e veprimit, që të mos ketë pengesa, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

“ Mendoj  që pas vendimit të marrë në Qeveri me 21 korrik, përsëri  është hapur rrugë që në bazë të Ligjit për Shpronësim, ne t’i zgjidhim këto probleme duke parë tashmë dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve dhe përgatitjet që po bëhen nga të gjithë, besoj që në përputhje me këto afate duke nisur nga data 10 gusht kur do të mbahet ky dëgjim publik”.

“Konsideroj që  prej datës 11 gusht ne mund të veprojmë në përputhje me këto të gjitha veprime dhe mandatet ligjore, që i ka secili institucion për të pasur së pari një vendim preliminar, siç e parasheh ligji për shpronësime. Pastaj të ezaurohet dhe pjesa tjetër e 15 ditëshit siç kërkohet në këtë ligj dhe pas periudhës 15 ditore t’i hapet rrugë vendimit final të shpronësimeve që pastaj do të jetë një sinjal për KEK që do të mund ta rinisë ose vazhdoj punën”, tha Stavileci.

Për më tepër Stavileci thotë se nuk  ka hapësirë për ndonjë panik, sepse edhe koha për të cilën kanë paralajmëruar edhe kjo që parashihet në bazë të ligjit, mund të jenë në proporcion kohor në mënyrë që të mos ketë ndonjë krizë.

“Por, edhe po supozojmë në variantin më të keq,  pra ne do t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe të gjithë akterët janë të përgatitur,  që të veprojnë në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë në furnizimin e rregullt me energji elektrike”, tha ai.