Kodi i ri Penal si vizion për diktaturën në Kosovë

Kodi i ri Penal si vizion për diktaturën në Kosovë

Një propozim për të bërë të dënueshme me burg fyerjet dhe shpifjet ndaj shtetit të Kosovës dhe udhëheqësve të saj ka nxitur frikën se po zhbëhet ideja e Kosovës si shtet demokratik, edhe ashtu të brishtë për momentin.

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës Koha Ditore, thotë se një iniciativë e tillë “e nxjerrë Kosovën plotësisht nga orbita evropiane” dhe e kthen në drejtim të Lindjes.

“Dhe, ç‘është e vërteta, frymëzimin për hapa të tillë, propozuesit, bashkë me iniciuesin e ndryshimeve, duket qartë se e kanë gjetur tek vendet si Rusia e Putinit, apo Turqia e tanishme e Erdoganit”, thotë Bajrami për Insajderin.

“Kriminalizimi i shpifjes – bashkë me këto propozimet tjera skandaloze që po raportohen – janë jo vetëm një hap prapa, por edhe paralajmërim se vizioni që kanë disa pushtetarë për shtetin e Kosovës është i një diktature, ku shoqëria jo vetëm se duhet ti nënshtrohet pushtetit, por edhe duhet t’ia ketë frikën”, thotë ai.

Sipas tij, është indikative se propozimi për këto ndryshime ka ardhur nga komisioni i formuar nga Presidenti Thaçi.

Kjo, sipas Bajramit, përveç se e konfirmon se kemi të bëjmë me një hap krejt jodemokratik dhe autoritar, “është edhe përpjekje për t’ia mbyllur gojën gjithë shoqërisë përballë dështimeve që kjo garniturë e pushtetarëve ia ka servuar vendit me vite të tëra.”

Bajrami ka thënë se megjithëse ka vende të ndryshme evropiane që bëjnë sanksionim të ngjashëm si drafti i propozuar, vendet si Kosova, Shqipëria e Maqedonia “nuk kanë elitë demokratike politike” andaj ligjet si këto i afrojnë me grupin e shteteve autokratike.

Edhe aktivisti i shoqërisë civile, Krenar Gashi, poashtu ka reaguar ashpër ndaj këtij drafti.

“Ta pshurrsha republikën që ka nevojë me e penalizu fyerjen prej qytetarëve të saj. Hajt tash, më burgosni!”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

I kontaktuar nga Insajderi, Gashi ka thënë se përmes kësaj iniciative, “po tentohet të kriminalizohet fyerja ndaj pushtetit dhe jo shtetit”.

“Thënë troç, nuk ka prokuror a gjyqtar që do e ndjekë dikë në një vend demokratik veç për shkak së ka shfaqur shpërfillje apo fyerje ndaj shtetit dhe rendit kushtetues, meqë, një gjë e tillë garantohet me lirinë e shprehjes”, thotë ai.

“Megjithatë, nëse provizione te tilla miratohen në Kuvend, kam shumë frikë se do kemi shumë prokurorë e gjyqtarë, sidomos të tillët që kanë ardhur nga këto pozita përmes lidhjeve politike të zbuluara nga afera pronto, që nuk do hezitojnë fare t’i zbatojnë sipas dëshirës së shefave të tyre dhe shefave të shefave”, shton ai.

Kodi aktual Penal i Kosovës parashikon që fyerjet dhe shpifjet të dënohen me gjobë, dhe trajtohen përmes Ligjit për Shpifje. Por, drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë tashmë ka një plan tjetër për njerëzit që nuk mund të përmbahen në shprehjen e mllefit ndaj udhëheqësve të tyre apo shtetit.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë”, thuhet në draftin e këtij projektligji.

Përkufizim i njëjtë vlen edhe për shpifjet ndaj “Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese, ose një prej anëtarëve të tyre.”

Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë ka mbrojtur këtë draft duke thënë se është bazuar në praktikat më të mira të vendeve të BE-së.

“Me rastin e hartimit të këtij drafti Ministria e Drejtësisë ka  marrë për bazë propozimet e akterëve të përfshirë në këtë proces si dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian në përgjithësi e shtetit të Gjermanisë në veçanti”,thuhet në komunikatën e Ministrisë të dërguar medieve pas reagimeve publike ndaj draftit.

Disa nga nenet e propozuara për diskutim nga ana e anëtarëve të grupit punues, sipas ministrisë janë marr model nga Kodi Penal i Gjermanisë, “i cili është në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Si të tilla janë objekt shqyrtimi nga ana e grupit punues dhe nuk janë propozim i asnjë institucioni, e për të cilat grupi punues i themeluar për këtë çështje do të jetë kompetent t’i trajtoj dhe të rekomandoj se si të procedohet tutje me këtë çështje”, sqaron ministria.

Aktualisht, drafti u është dërguar për komente anëtarëve të grupit punues, përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe partnerëve tanë ndërkombëtar.

Organizata ndërkombëtare Freedom House, e cila mbikëqyr zgjerimin e lirisë nëpër botë, tash e disa vite e radhit Kosovën si një vend gjysmë të konsoliduar autoritar./Insajderi.com