Kocijançiq: Çështja e pronave Kosovës-Serbisë të zgjidhet në mënyrë transparente

Kocijançiq: Çështja e pronave Kosovës-Serbisë të zgjidhet në mënyrë transparente

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq ka thënë se çështjet pronësore janë të ndjeshme dhe kanë nevojë të zgjidhen në mënyre transparente me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve që iu janë referuar.

Megjithatë, Komisioni Evropian nuk ka folur prerazi nëse Serbia ka të drejtë të ankohet për regjistrimin e pronave të ish-Jugosllavisë si prona të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Të kujtojmë se dje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim duke e autorizuar Kadastrën e Kosovës që të gjitha pronat e Kosovës të regjistruara si prona të ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, të regjistrohen si prona të Kosovës.

Ky vendim ka ngjallur reagime të ashpra në Beograd, me arsyetimin se ato janë prona të Serbisë.

Pronat kryesore që përmenden në këtë shtetëzim të Kosovës janë Brezovica, Malet e Sharrit, KEK, Hekurudhat, toka bujqësore, ndërtesa publike, etj.