Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 15:00

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 15:00 të cilën e ka ftuar kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Nismës, Milaim Zeka gjatë një paraqitje për media.

Deputeti Zeka ka thënë se ai ka ardhur për të marrë pjesë në seancë, pas konsultimit me kreun e partisë, Fatmir Limaj, që sipas tij, ai i ka thënë se deputetët janë plotësisht të lirë të  veprojnë sipas bindjes së tyre.

Por ai ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë si deputet, për shkak të një kërcënimi që një deputet i LDK-së ia ka bërë deputetes Teuta Rugova.

Zeka ka thënë se një kërcënim i ngjashëm i ka shkuar edhe deputetit Labinot Tahiti.

Për më tepër, deputeti i LAA-së, Haxhi Avdyli, pas ndërprerjes së seancës ka thënë se është turpëruar me qëndrimin e Teuta Rugovës, të bijës së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, me votimin e saj pro shtyrjes së seancës konstituive.

Rugova, që ishte ndër emrat më të përfolur se mund të votojë pro koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit dhe pro qeverisë Haradinaj, sot ishte deputetja e vetme shqiptare jashtë koalicionit PAN që votoi pro shtyrjes së seancës.

Avdyli përmes një ‘selfie’ me bustin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ka thënë se sot janë skuqur nga dora e ngritur e Teuta Rugovës.

“Një dorë e ngritur sot në Kuvend, na bëri të skuqemi nga turpi”, ka shkruar ai./Insajderi.com