Koalicioni nis mbledhjen e nënshkrimeve për Thaçin

Disa deputetë kanë filluar dhënien e nënshkrimeve për ta ftuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohet Hashim Thaçi për president të shtetit. Partnerët e koalicionit e mbajnë sekret datën e votimit të presidentit

Koalicioni nis mbledhjen e nënshkrimeve për Thaçin

Gazeta Zëri raporton se partnerët e koalicionit qeverisës kanë filluar grumbullimin e nënshkrimeve të deputetëve për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohet Hashim Thaçi për president të shtetit.

Nisjen e grumbullimit të nënshkrimeve e kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse nuk kanë bërë të ditur se kur të njëjtat mund të dorëzohen në Kryesinë e Kuvendit për të proceduar thirrjen e seancës.

Enver Hoxhaj, deputeti i PDK-së, ka thënë se para disa ditëve një numër i deputetëve e kanë nënshkruar një nismë për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme.

“Ka të tillë që para disa ditësh kanë firmosur, ka të tillë që ende nuk e kanë firmosur, por këto janë procedura që janë të natyrës ligjore dhe votat ekzistojnë dhe nuk do të ketë ndonjë problem në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se ende nuk dihet se kur do të dorëzohen nënshkrimet në Kryesinë e Kuvendit.

“Se kur dorëzohen nënshkrimet është çështje e shefave të grupeve parlamentare në koordinim me kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit”, është shprehur ai.