Koalicioni merr teposhtëzen, zhvillohet luftë frontale mes dy servilëve kryesorë të liderëve

Polemikat pro dhe kundër rrëzimit të Qeverisë sot janë bërë nga Bajram Gecaj, i njohur për thurjen e lavdeve për kryeministrin Mustafa dhe Rexhep Hoti, i njohur për thurjen e lavdeve për çdokënd që merr postin e kreut të PDK-së.

Koalicioni merr teposhtëzen, zhvillohet luftë frontale mes dy servilëve kryesorë të liderëve

Lëkundje të mëdha janë shfaqur në koalicionin qeverisës gjatë këtij muaji. Partia Demokratike kërkon me ngul zgjedhje të parakohshme, ndërsa Lidhja Demokratike insiston në përfundimin e mandatit, më 2018. Polemika në distancë janë zhvilluar nga zyrtarë të dy partive, por ende nuk ka pasur përballje direkte mes Kadri Veselit e Isa Mustafës.

Por sot, përplasjet kanë arritur gati deri në këtë stad. Është duke u zhvilluar një betejë me deklarata publike mes dy servilëve kryesorë të tyre, Bajram Gecajt e Rexhep Hotit.

Gecaj e ka nisur i pari, i njohur si një prej lavdëruesve më të mëdhenj të kryeministrit Mustafa. Gecaj, që preferon ta quajë akademik dhe t’i thurë lavde tërë kohën kryeministrit, aktualisht mban dy pozita zyrtare. Është zëvendësministër dhe këshilltar i kryeministrit.

Gecajn e kanë penguar deklarimet e sotshme të Hotit, i cili ka kërkuar rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Z. Hoti sigurisht është i vetëdijshëm se ky koalicion qeverisës ka një marrëveshje për qeverisje, dhe se partitë serioze dhe institucionaliste respektojnë marrëveshjet, posaçërisht kur vetë kanë kërkuar dhe insistuar për një të tillë. Mosrespektimi i marrëveshjeve dërgon sinjale negative dhe brengosëse për marrëveshjet në të ardhmen, dhe atë jo vetëm te partia jonë”, ka shkruar Gecaj në Facebook.

Gecaj ia ka parë për të madhe Hotit që në një intervistë dhënë sot për Gazetën “Epoka e Re”,  ka paralajmëruar  ardhjen e epokës, ku Kadri Veseli do të jetë kryeministër.

Sipas Gecajt, ky paralajmërim është i hershëm. Deklarimet e tij e kanë nervozuar Hotin. Kur zv/ministri i Kulturës është kontaktuar nga lajmi.net ka deklaruar se Bajram Gecaj nuk meriton as t’i jepet përgjigje.

“Respekt për mendimin e gjithkujt, por personi për të cilin po flisni nuk meriton t’i jep përgjigje”, ka thënë Hoti. Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, është i njohur në publikë për lavdet që i bën për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Edhe në intervistën e sotshme për “Epokën e Re”, nuk ka ngurruar ta bëjë këtë.

Ka deklaruar se qeverisja e PDK-së e ka shpëtuar Kosovën dhe se në këtë vend ka ndodhur mrekullia.

“Emëruesi i këtij shpëtimi është PDK në krye me ish-kryetarin e saj, Hashim Thaçi, e tash me kryetarin Kadri Veseli”, ka thënë Veseli.

Një tjetër fjali ku e lartëson figurën e kryetari Veseli është edhe kjo: Me epokën e Veselit kryeministër, po merr fund njëherë e përgjithmonë harresa, injorimi dhe bërja politikë larg qytetarit Ka shkuar edhe më larg duke e lavdëruar kreun e partisë.

“Me z. Veseli kryeministër qytetari i Republikës do të ketë të holla në xhep, jo vetëm për vete, por edhe për familje”, ka shtuar Hoti.

Për lavdërim të liderit, Hotit nuk ia lë mangut Gecaj. Ai në maj të vitit të kaluar ia kishte dërguar një letër publike kryeministrit Mustafa. E kishte postuar në Faceebok dhe e kishte titulluar “Kryeministër, mos ua vë veshin zërave kundërshtar”.

“Duket se udhëheqja e qeverisë, për të parën herë nga një akademik, është shndërruar çuditshëm ‘halë në sy’ të të gjithë atyre të cilët i frikohen suksesit dhe rrjedhimisht rritjes së partisë më të vjetër shtetformuese në Republikën e Kosovës”, kishte shkruar Gecaj.

Derisa të tjerët e kundërshtonin Mustafën për mbarëvajtjen e konventës partiake dhe e quanin anti-demokratik, ishte Gecaj që nuk mendonte kështu. Madje, edhe e uronte shefin e tij për demokracinë e shpërfaqur.

“Urime dhe përgëzime për organizimin në mënyrën më demokratike të mundshme të “Këshillit Qendror”. Gjithashtu suksese në organizimin e “Kuvendit të Punës” së 28 majit, i cili, ashtu si edhe shumë të tjerë më parë, me siguri se do të sjellë inovacione dhe unifikim të strukturave dhe rrjedhimisht edhe të anëtarësisë së gjerë të partisë”, kishte shtuar Gecaj.