Injorohet Lista Serbe

Injorohet Lista Serbe

Partnerët e mëdhenj të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk janë konsultuar me partnerin tjetër Listën Serbe për çështjen e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi as pas dështimit të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje më 1 shtator, kur u tërhoq nga votimi në mungesë të Listës Serbe.

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës thonë se kanë takime me përfaqësuesit e serbëve, porse nuk janë konsultuar për këtë temë. Kështu ata thonë se ende nuk mund të flitet për mbajtjen e seancës për ratifikimin e Demarkacionit.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për “Zërin” se përfaqësuesit e Qeverisë kanë vazhdimisht takime me përfaqësuesit e Listës Serbe, porse nuk kanë zhvilluar ndonjë takim të veçantë për çështjen e Demarkacionit.

Në anën tjetër, subjektet opozitare thonë se Qeveria do të dorëzohet në këtë temë. Prandaj, sipas tyre, opsioni më i mirë është që kjo marrëveshje të hedhet poshtë dhe se procesi i demarkacionit të nisë nga fillimi.

Më 1 shtator, kryeministri Mustafa tërhoqi nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës marrëvedhjen e demarkacionit duke u arsyetuar se nuk kanë dashur që të bëjnë koncesione ndaj Listës Serbe, e cila mungoi.