“Koalicioni i fshehtë i LDK-së me PDK-në dhe VV” – Arsyetimi i AAK-së për humbjen

“Koalicioni i fshehtë i LDK-së me PDK-në dhe VV” – Arsyetimi i AAK-së për humbjen

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se fitorja e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Pejës, qysh në raundin e parë, nuk ka qenë befasi për AAK-në.

Haradinaj në emisionin “Debat D” të RTV Dukagjini, ka theksuar se e kanë pasur parasysh se Peja ka shumë vështirësi që të fitohet.

“Për më tepër LDK në Pejë, ka pasur një bashkëpunim të fshehtë me PDK-në dhe VV-në. Ka pasur vendvotime ku zakonisht është votuar PDK, dhe në këto zgjedhje ka marrë vota Gazi. Përveç kësaj ka pasur edhe zyrtarë të VV-ja që e kanë mbështetur atë. Duke mos harruar se edhe vet Gazi ka punuar fortë dhe është mbështetur me një buxhet prej 8 milionë e 700 mijë euro nga Qeveria, por edhe sondazhet na kanë treguar për këtë rezultat”, ka shtuar Haradinaj.