Koalicioni i Biznesit (II)

Mustafa zgjodhi Abdullah Hotin, ish-këshilltarin dhe njeriun më të besueshëm. Hotit i mungon karizma politike, i mungon lidershipi dhe gjithçka tjetër. Por, ai ka vetëm një përparësi kundrejt Lutfi Hazirit: nuk ka qenë kurrë i afërt me drejtuesit e PDK-së. Kjo përbën vlerë në LDK-në që ndoshta për herë të fundit dëshiron përfitojë vota duke u barrikaduar kundër PDK-së, e cila tek besnikët nuk e ka dashur kryetarin e parë të saj, Ibrahim Rugovën. Por, historia e drejtuesve të LDK-së tregon se edhe ata ngjashëm si drejtuesit e PDK-së, nuk e kanë dashur aq shumë themeluesin e partisë, Ibrahim Rugovën.

Koalicioni i Biznesit (II)

Fotoja e famshme, e bërë në gusht të vitit të kaluar në një dasmë, që ka për protagonist Lutfi Hazirin dhe Elmi Reçicën tregon shumëçka. Ajo është dëshmia që shpërfaq bashkëpunimin e fshehur prej më shumë se një dekade mes PDK-së e LDK-së, dy parti që në publik tingëllojnë si kundërshtare.

Reçica dhe Haziri shihen të disponuar, plotë hare dhe kryqëzojnë krahët për të çuar nga një gotë raki.

Dy partitë nga vijnë Haziri e Reçica kanë qenë me vite armike të njëra tjetrës. Më vonë gjërat ndryshuan dhe lidhën dy koalicione të mëdha. Megjithatë, në publik trumbetojnë ende armiqësinë. LDK sa herë që mbetet pa pushtet drejton gishtin kah PDK-ja për vrasjen e anëtarëve të saj pasluftës.

Ka nisur ta bëjë edhe tash kur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e rrëzoi Isa Mustafën nga froni i kryeministrit.

Dhe pas rrëzimit nga ish-shefi i SHIK-ut, lëvizje e ardhshme e politike e LDK-së duhet të jetë hapja e frontit kundër PDK-së. Lutfi Haziri i cili shpërfaqi ambicie për kryeministër nuk do të mund ta udhëhiqte këtë luftë frontale, pasi që shihet si i afërt me PDK-në.

Mustafa zgjodhi Abdullah Hotin, ish-këshilltarin dhe njeriun më të besueshëm. Hotit i mungon karizma politike, i mungon lidershipi dhe gjithçka tjetër.

Por, ai ka vetëm një përparësi kundrejt Hazirit: nuk ka qenë kurrë i afërt me drejtuesit e  PDK-së.

Kjo përbën vlerë në LDK-në që ndoshta për herë të fundit dëshiron përfitojë vota duke u barrikaduar kundër PDK-së, e cila tek besnikët  nuk e ka dashur kryetarin e parë të saj, Ibrahim Rugovën.

Por, historia e drejtuesve të LDK-së tregon se edhe ata ngjashëm si drejtuesit e PDK-së, nuk e kanë dashur aq shumë themeluesin e partisë, Ibrahim Rugovën.

Lideri shpirtëror i partisë, Rugova, kishte përjetuar shumë atentate në të gjallë të tij.

Asnjë prej drejtuesve të LDK-së nuk ishte i interesuar që ta zbulonte se nga kush vinin dhe të kërkon përgjegjësi nga urdhërdhënësit. Thjeshtë, e kishin lënë në harresë.

Por, në harresë nuk e lanë vetëm emrin e tij, të cilin e përdorën për qëllime meskine.

Mblodhën vota për ngjitjen në pushtet të tyre, duke u thirrur në filozofinë rugoviane.

Por, asnjë prej shefave të LDK-së nuk u dëgjua të kërkonte llogari për sulmin që ishte bërë gjatë një nate në rezidencën e Rugovës.

Atë natë të para më shumë se një dekade kishte shpërthyer një granatë në rezidencën e Rugovës.

Hetuesit e Policisë kishin zbuluar se granata ishte hedhur nga një dritare e katit të tretë të shtëpisë.

Kishin arritur në përfundim se granata ishte hedhur nga stafi i presidencës. Dyshimet çonin kah Ramë Maraj e Avdi Behrami, të cilët drejtuan shërbimin inteligjent të afërt me LDK-në e atëkohshme.

Askush nuk ishte arrestuar. Drejtuesit e LDK-së ishin ata që duhej kërkuar llogari. Por, heshtën të gjithë.

Në vend të saj, zgjodhën pazaret.  Një pjesë e kryesisë së LDK-së ndikuan që i biri i tij, Ukë Rugova të ofrohej me Partinë Demokratike të Kosovës. Ideja ishte që trashëgimtari i Rugovës të mos ishte një kandidat potencial për kryetar të LDK-së. E arritën këtë qëllim.

Ukë Rugova pas degdisjes në afërsi të Thaçit u shkatërrua politikisht. Në të nuk mbeti asnjë vlerë politike.  Kur në sytë e opinionit Ukë Rugova shihej si një tradhtar i vijës politike të babait të tij dhe si një person i denjë për tu vendosur prapa grilave, tek atëherë drejtuesit e LDK-së nisën ta ftonin nëpër ceremoni të rëndësishme.

E ftojnë pa hezitim pasi që nuk është më i rëndësishëm dhe pasiqë në LDK nuk ka mbetur më asgjë nga hija e Ibrahim Rugovës. Nuk duket më as si kundërshtare e madhe e PDK-së, ndonëse zyrtarisht në fushatë zgjedhore do të konkurrojë kundër saj.

Për t’iu kundërpërgjigjur PDK-së së Veseli, LDK-ja ka bashkuar forcat me Aleancën Kosova e Re dhe disa politikanë që kanë ndërruar shumë parti dhe së fundmi kanë themeluar një iniciativë të quajtur, Alternativa. E paregjistruar ende në KQZ, njerëzit e iniciativës së quajtur “Alternativa” janë shkrirë në LDK-në e themeluar para gati tri dekadash.

Duke ndjerë frikën nga koalicioni PDK-AAK e Nisma, Isa Mustafa lëvizi drejt hapjes së dyerve për Ilir Dedën e Alternativës, të cilin dikur e quante dyfytyrësh. Thoshte se LDK-së nuk i duhen hipokritët sikurse soji i Ilir Dedës.

Por, më 16 maj tërheqi vijat e kuqe dhe shkeli parimet e tij. Nënshkroi marrëveshje pikërisht me Alternativën e themeluar nga Deda.

Disa orë më vonë, e ekzekutoi edhe një akt kundër bindjeve të tij. Ndonëse, tradicionalisht  drejtuesit e partisë së vogël vizitojnë zyrën e partisë së madhe, ndryshe veproi Isa Mustafa.

I lutej Pacollit që t’ia hapte dyert e rezidencës së tij në Hajvali. Aty nënshkroi koalicion parazgjedhor me Behgjet Pacollin e Aleancës Kosova e Re, të cilin e kishte luftuar shumë para gjashtë vjetësh.

LDK-ja ishte kundër miratimit të kandidaturës së Pacollit për president të Republikës më 2011. Nuk kishte mundur ta ndalte në seancën e 22 shkurtit të atij viti. Pacolli kishte dalë fitimtar dhe ishte miratuar kandidatura e tij.

Ndonëse beteja ishte humbur në parlament, LDK-ja e Isa Mustafës kishte zgjedhur ta luftonte edhe jashtë parlamentit. Beteja ishte zhvendosur në Kushtetuese, ku deputetët e LDK-së kishin kërkuar rrëzimin e Pacollit nga froni.

Pacolli ishte rrëzuar dhe LDK-ja e kishte festuar këtë triumf në mars të vitit 2011.

Gjashtë vjet pas këtij triumfi, Isa Mustafa do të rrugëtoj për dhjetë rresht gjatë fushatës zgjedhore krahë përkrahë me Pacollin, njeriun që dikur nuk kishte lënë gur pa lëvizur kundër tij./Insajderi.com