Koalicioni i Biznesit (1)

Behgjet Pacolli, më 16 maj të këtij viti, hapi dyert e rezidencës së tij në Hajvali, për të pritur njeriun që e akuzuar për vite të tëra si mashtrues. Me “mashtruesin” nënshkroi marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Kjo marrëveshje e obligon Pacollin që për dhjetë ditë rresht të jetë krahë për krahë me Mimoza Kusari-Lilën, njeriun që dikur e kishte avancuar dhe më pas është shndërruar në një prej armiqve më të mëdhenj të tij.

Koalicioni i Biznesit (1)

Lidhja Demokratike, Aleanca Kosova e Re dhe disa politikanë që operojnë nën ombrellën e iniciativës së quajtur “Alternativa”, nuk ishin asgjë të përbashkët. Armiqësitë mes tyre ishin të madhe, por u bashkuan për të mirën e tyre personale: pushtetin.

Bashkimi mes tyre të asocion me një konzorcium të kompanive private që bëhen bashkë për të konkurruar në një tender. Madje, shpeshherë edhe disa kompani private tregohen më fisnike, duke refuzuar të bashkëpunojnë me kompani me të cilat kanë pasur telashe më herët.

Pjesë e këtij koalicioni është miliarderi Behgjet Pacolli. Atij i ka rënë të nënshkruajë edhe marrëveshje për krijim konzorciumesh, por dhe krijim të koalicioneve. Pacolli me siguri se kompaninë e tij, “Mabetexin”,  nuk do ta fuste në një konzorcium me kompani që e kishin mashtruar në të kaluarën. Por, këtë veprim e bëri me partinë e tij, AKR-në.

Ditën e 16 majit që ishte afati i fundit ligjor për të lidhur koalicione parazgjedhore, Pacolli kishte hapur dyert e shtëpisë së tij për të pritur një njeri, të cilin e ka konsideruar për mashtrues. Ishte Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga rezidenca e Pacollit në Hajvali, nëpërmjet komunikatave dërguar mediave me foto e kumtim të fitores të madhe, ishte lëshuar “tymi i bardhë”, siç ndodh në Vatikan kur zgjidhet Papa i Ri. Aty shihej se “mashtruesi” , siç e kishte vlerësuar Pacolli kreun e LDK-së, kishte marrë me vete edhe nënkryetarët Lutfi Haziri e Agim Veliu si dhe kandidatin për kryeministër Avdullah Hotin.

Po ashtu, shihej se Pacolli e kishte pritur mirë Isa Mustafën atë ditë, pasi që “mashtruesi” e kishte siguruar se partia e tij jo parlamentare do të futej në Kuvend dhe në Ekzekutiv.

Veprimi i tyre për tu bashkuar para zgjedhjeve ishte ngjashëm jo parimor sikurse bashkimi i PDK-AAK e Nisma. Ngjashëm si Mustafa, Pacolli e Kusari-Lila e Alternativës edhe ishin ish-komandantët e UÇK-së kishin harruar gjithçka dhe ishin treguan elastik për të vetmin qëllim: pushtetin.

Pacolli kishte lënë mbrapa shpinës shumëçka kur kishte vendosur të nënshkruante koalicionin me Isa Mustafën. Kujtimet e hidhura nga mashtrimet e Isa Mustafës tashmë i kishte fshirë.  Ato i kujtonte për çdo vit, deri më 16 maj të këtij viti kur ekzekutoi aktin e pajtimit.

I kujtonte sa herë që vinte data 22 shkurt. Ajo datë ka një rëndësi të madhe për të. Më 22 shkurt 2010 kishte arritur të bëhej President i Republikës me votat e deputetëve. Kishte hequr shumë derisa ishin siguruar votat.

Partitë opozitare asokohe – LDK, Vetëvendosje e AAK, kishin refuzuar ta votonin për President. Një prej argumenteve që ishte përdorur ishte edhe ky: emërimi President i një biznesmeni të lidhur me Rusinë rrezikon interesat kombëtare. Përpos refuzimit të opozitës, edhe disa deputetë të PDK-së nuk ishin të bindur për ta votuar Pacollin për President.

Pacollit i ishte dashur ndihma e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, tashmë një i punësuar në mënyrë të dyshimtë në Bechtel-Enka, dhe ndihma e Sami Lushtakut, tashmë një i dënuar për krime lufte dhe i akuzuar për ndërhyrje në një tender multimilionësh.

Ndihma e tyre bëri që Pacolli ta fitojë beton në parlament. Por, nuk kishte qëndruar shumë në këtë pozitë LDK-ja kishte vazhduar ta luftonte me tërë fuqinë. E kishte dërguar në Kushtetuese emërimin e tij. Kishte dalë fitimtare. Pacolli ishte rrëzuar nga froni më 28 mars 2011.

Pacollit nga ajo ditë nuk i hiqet prej mendjes një njeri: Isa Mustafa. Për çdo 22 shkurt, dita e përvjetorit të zgjedhjes së tij si President, e kujton shpesh “tradhtinë” e Mustafës.

“Isa Mustafa me thoshte se po e bëjnë deputetët e mi e jo unë, por më vonë e kam kuptuar se Isa Mustafa ishte ai që kishte organizuar çdo gjë në këtë çështje, ashtu si ja kishte bërë të tjerëve”, kishte shkruar Pacolli, në një prej memoareve të tij, të publikuara në Facebook kur kishte kujtuar pesë vjetorin e zgjedhjes së tij në postin e Presidentit.

Përpos faljes së tradhtisë së Mustafës, Pacolli kur nënshkroi koalicionin përpiu edhe dy zotime të mëdha publike. Gjashtë ditë para këtij akti, më 10 maj 2017, Pacolli tha se futet në koalicion me LDK-në vetëm nëse ai do të jetë kandidat për kryeministër. Këtij zotimi i qëndroi besnik vetëm gjashtë ditë.

Ndërkaq më 4 tetor të vitit 2016 kishte deklaruar se ka vija të kuqe ndaj LDK-së e PDK-së. Kishte thënë partia e tij kurrë nuk do të bashkëpunojë me LDK-së për sa kohë në krye të saj do të jetë Isa Mustafa. Por, Isa Mustafa është ende në krye dhe në të njëjtën ditë kur nënshkroi marrëveshje me Pacollin, bëri marrëveshje edhe Mimoza Kusari-Lilën.

Ish-zëvendëspresidentja e AKR-së, Kusari-Lila është shndërruar në një prej armiqve më të mëdhenj politik të Pacollit, gjatë dy viteve të fundit.

Pacolli ka deklaruar për të se i ka dhënë gjithçka: pozita të larta e mundësi për tu bërë kryetare e Gjakovës si dhe ka shpenzuar miliona për fushatat e saj zgjedhore.

Kusari-Lila i është kundërpërgjigjur duke e ofenduar. Ka thënë se Pacolli nuk ka kurrfarë vlere tjetër, përpos parasë.

Por, të dy kanë mbyllur njërin sy më 16 maj duke harruar hendeqet e krijuara mes tyre. Janë zotuar se për dhjetë ditë rresht, nga 1 qershori deri më 10 qershor, do të rrugëtojnë së bashku në fushatë zgjedhore për të realizuar qëllimin e përbashkët: rikthimin në pushtet qendror.