KMDLNJ: ZRRE po bënë “lojë” me konsumatorët

27.03.2017 13:09
KMDLNJ: ZRRE po bënë “lojë” me konsumatorët

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike është duke bërë “loja” me konsumatorë të energjisë elektrike.

“Pasi po përfundon sezoni dimëror i furnizimit me energji elektrike, me shumë ankesa të arsyeshme të konsumatorëve, ZRRE që u tregua e papërgjegjshme në mbrojtje të interesave të konsumatorëve ka nisur një “lojë” të re me propozimin e heqjes së tarifave sezonale që nënkupton edhe heqjen e blloqeve tarifore”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Sipas KMDLNj “vendimi që pritet të merret në fund të muajit mars të këtij viti, sipas ZRRE vetëm do të ristrukturohen tarifat e tashme duke e mohuar se me këtë rast do të kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike”.

Ajo pretendon se “kalkulimi i rrymës ka qenë shumë i ngatërruar dhe ka shkaktuar shumë pakënaqësi dhe paqartësi te konsumatorët”.

KMDLNj e sheh si dëmtim të mëtutjeshëm të interesave ristrukturimin e tarifave dhe blloqeve të cilat do të bëhen me datën 1 prill 2017.

“Konsumatorët duhet të paguajnë energjinë elektrike me tarifa verore e jo të nivelizuara gjatë periudhës së verës. Tarifat fikse duhet të hiqen krejt sepse nuk ka kuptim të paguhet diçka që nuk shfrytëzohet”, thuhet tutje në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj thekson se “zbatimi i ndryshimeve që parasheh ZRRE nga data 1 prill 2017 e jo nga fillimi i sezonit dimëror 2017 do të ishte legalizim i vazhdimit të plaçkitjes edhe për 6 muaj të tjerë e që do të ishte e palejueshme dhe e dëmshme”. /Insajderi.com